Qeveria spanjolle paraqiti sot një sfidë ligjore ndaj vendimit të ligjvënësve të Katalonjës për të kërkuar pavarësinë.
Parlamenti i këtij rajoni verilindor miratoi të hënën një plan për shkëputje. Mbështetësit e planit shpresojnë se ai do të çojë në pavarësinë e Katalonjës brenda 18 muajve.
Avokatët e qeverisë i kërkuan Gjykatës Kushtetuese ta pezullojë menjëherë rezolutën.
Kryeministri Mariano Rajoy tha se veprimi i qeverisë ka të bëjë me “mbrojtjen e një vendi të tërë.” Ai ka premtuar se do të përdorë të gjitha mjetet politike dhe ligjore për të mos e lejuar pavarësinë.
Katalonja është një rajon autonom me 7.5 milionë banorë që jep rreth 20 për qind të prodhimit ekonomik të Spanjës. (voa)