Spanja shkarkoi të premten qeverinë rajonale të Katalonjës, shpërndau parlamentin e saj dh shpalli zgjedhjet e parakohshme për 21 dhjetorin në një përpjekje për të tejkaluar krizën më të rëndë politike në Spanjë në 40 vjetët e fundit.
“Ne besojmë se është emergjente që të dëgjojmë qytetarët e Katalonjës, të gjitha ata, në mënyrë që ata të mund të vendosin për të ardhmen e tyre dhe askush të mos mund të veprojë jashtë ligjit në emrin e tyre”, tha kryeministri spanjoll Mariano Rajoy në një fjalim në televizion.
Vendimi i qeverisë spanjollë pasoi votimin në senatin spanjoll në favor të masave për pezullimin e autonomisë së Katalonjës e cila të premten shpalli pavarësinë nga Spanja.
Mocioni për shpalljen e pavarësisë në parlamentin rajonal të Katalonjës prej 135 vendesh mori 70 vota, ndërsa 10 ishin kundër.
Ligjvënësit nga Partia Socialiste, Partia Popullore dhe Ciudadanos, braktisën parlamentin në shenjë proteste para votimit.
Departamenti amerikan i shtetit tha se Katalonja është pjesë integrale e Spanjës dhe Shtetet e Bashkuara mbështesin masat kushtetuese të qeverisë spanjolle për të mbajtur Spanjën të bashkuar e të fuqishme.
Në Bruksel, Presidenti i Këshillit Evropian, Donald Tusk, i bëri thirrje qeverisë spanjolle që “të përdorë forcën e argumentit në vend të argumentit e forcës”, duke e siguruar Madridin se Bashkimi Evropian do të flasë vetëm me Spanjën.
Më pak se gjysma e popullsisë prej 7.5 milionë banorësh të Katalonjës morën pjesë në referendumin e 1 tetorit, megjithëse 90 për qind e pjesëmarrësve votuan në favor të pavarësisë.
Historia e lëvizjeve separatiste në Katalonjë, që është një nga 17 zonat autonome të Spanjës shtrihet në disa shekuj, duke përfshirë një vendim në vitin 1640 për t’u lidhur me Francën fqinje. (voa)