Në një studim konfidencial që u ra në dorë mediave, thuhet se në kushtet kur borxhi grek pritet të arrijë në pothuajse 200 për qind të prodhimit ekonomik gjatë dy viteve të ardhshme, vendit i nevojitet shumë më tepër ndihmë për lehtësimin e borxhit sesa është folur deri tani.
Bill Blain, strateg në firmën Mint Partners, thotë se gjithkush e di se ka shumë gjasa që Greqia të mos i shlyejë dot kurrë të gjitha borxhet e saj për të arritur pikën kur ekonomia të fillojë të rritet. Prandaj, ajo që nevojitet urgjentisht është ristrukturimi i borxhit dhe ndihma për Greqinë.
Greqia ka kërkuar në mënyrë të përsëritur lehtësimin e borxheve, por deri tani pa dobi.
Kjo mund të ndryshojë, përndryshe FMN-ja mund të tërhiqet nga paketa e shpëtimit financiar. Për Gjermaninë, kjo paraqet një dilemë të madhe.
Ekspertja e CEBR, Vicky Pryce, thotë se FMN-ja ndoshta mund t’u bëjë presion evropianëve në javët e ardhshme që të shqyrtojnë seriozisht reduktimin e borxheve të tjera përmes uljes së normave të interesit ose ndoshta faljes së tyre, diçka që evropianët deri tani nuk e kanë pranuar.
Në parlamentin e Greqisë po debatohet paketa e shpëtimit dhe masat e ashpra që e shoqërojnë atë.
Kryeministri Aleksis Tsipras ka thënë se ai nuk beson tek marrëveshja e arritur, por i ka deklaruar televizionit shtetëror grek se nuk ka alternativë tjetër, përveç pranimit të masave të propozuara për të shmangur kaosin ekonomik.
Të mërkurën, zëvendës ministrja greke e financave dha dorëheqjen për këtë arsye.
Kryeministrit Tsipras mund t’i duhet të mbështetet në votat e opozitës për të siguruar miratimin e paketës.
Eksperti Bill Blain mendon se është shumë e mundur që Greqia të shkojë drejt formimit të një qeverie të re.
Nëse Athina i miraton masat, qendra e vëmendjes do të kthehet te parlamenti i Gjermanisë, i cili mblidhet të premten. (voa)