Bujqësia moderne po ushqen më shumë njerëz me kosto më të ulët se kurrë më parë, me ferma të mëdha që kultivojnë vetëm një ose disa kultura. Por kjo mënyrë e kultivimit të ushqimit sjell rreziqe. Një libër i ri zbulon se si bujqësia në shkallë të gjerë krijon kushtet për sulme të mëdha nga insektet ose sëmundjet. Steve Baragona i Zërit të Amerikës u takua me autorin e librit, i cili përmes ndihmës së publikut po përpiqet të parashikojë sëmundjet e ardhshme që mund të prekin kulturat bujqësore.
Nëse ju pëlqen qebapi me kungull, trangujt ose pjepri atëherë brumbujt e zinj janë një problem i madh.
Këto instekte sulmojnë të gjitha këto bimë me anë të një lloji të keq bakteriesh, thotë ekologu Rob Dunn i Universitetit Shtetëror të Karolinës Veriore.
“Kjo bakterie infekton bimët, duke i shkatërruar ato”.
Sëmundja mund të shkatërrojë një fushë të tërë bimësh dhe mund të përhapet lehtë në fermat bujqësore moderne.
“Madje edhe bimët e vogla, ne i mbjellim në një hapësirë disa kilometërshe. Kështu që nëse bakteria prek një qoshe të arës së mbjellur me bimë, ajo përhapet shumë shpejt në të gjithë hapësirën e mbjellur.”
Skenari më i keq është uria e shkaktuar nga dëmtimi i patateve në Irlandë në vitet 1840. Rreth një milion njerëz vdiqën kur një sëmundje kërpudhore shkatërroi një kulturë mbi të cilën varej mbijetesa e shumicës së popullsisë.
“Shpesh thuhet se kjo i takon një periudhe tjetër kohore, viteve 1800 dhe nuk ka të bëjë me ne.”
Por libri i tij i ri, “Never Out of Season”, tregon historitë e plantacioneve të gomës të shkatërruara të Henry Ford-it në vitet 1930, sëmundjet kërpudhore që shkatërruan industrinë e çokollatës në Brazil dhe të tjera.
Dunn nuk e mohon se bujqësia ushqen sot më shumë njerëz me një kosto më ulët se më parë. Por ai thotë se ne duhet të përgatitemi për katastrofën e pashmangshme të ardhshme.
“Ne nuk kemi informacione mbi speciet që ndihmojnë bimët tona. Nuk e dimë nëse ka sëmundje kërpudhore në dheun në të cilin është mbjellë kungulli. Nuk e dimë nëse ka një parazit që sulmon brumbullin që mbart bakteriet, ndoshta askush nuk është duke e studiuar këtë. Kjo është e vërtetë për shumicën e kulturave tona”.
Zoti Dunn po punon për të plotësuar disa nga këto zbrazëtira. Fermerët dhe kopshtarët mund të ndihmojnë në këtë projekt.
Ai ka krijuar faqen e internetit iNaturalist.org dhe aplikacionin iNaturalist ku mund të gjesh programin e tij “The Great Pumpkin Project.”
Nëse shihni insekte në kunguj, tranguj ose pjepër, fotografojini ato.
“Ne shpresojmë të mbledhim miliona imazhe nga e gjithë bota për të mësuar se cilat lloje të brumbullit sulmojnë kulturat bujqësore dhe në cilat pjesë të botës.”
Dhe, ndoshta, mund të ndihmojmë për të shpëtuar kungullin nga një murtajë e ardhshme bimore. (voa)