Majmunëve makakë, që iu injektuan dy antitrupa të fuqishëm kundër virusit HIV, menjëherë pasi ishin infektuar me variantin fillestar të këtij virusi para se ai të përhapej tek njeriu, arritën ta mbanin virusin për një kohë të gjatë nën kontroll.
Kundërtrupat neutralizues u injektuan tek trembëdhjetë majmunë tre ditë pasi ishin infektuar me variantin fillestar të virusit, të njohur si SHIV, i cili nuk prek njerëzit. Gjatë një periudhe dyjavore, makakëve iu bënë tre injeksione intravenoze me kundratrupa të fuqishëm njerëzor.
Kundërtrupat 3BNC117 dhe 10-1074 e sulmojnë SHIV-in në dy drejtime, duke e çarmatosur virusin dhe duke ndihmuar sistemin imunitar ta largojë nga organizmi.
Ky trajtim me kundratrupa e çoi SHIV-in afër ose në nivele të pakapshëm nga analizat. Ky efekt zgjati derisa kundratrupat u zhdukën nga organizmi i kafshëve. Pas kësaj virusi u tkurr te të gjithë majmunët, përveçse te njëri prej tyre.
Por midis periudhës kohore nga 5 deri në 22 muaj më vonë ndodhi diçka që i mahniti studiuesit. Sistemet imunitare të gjashtë majmunëve arritën ta luftojnë vetë virusin vdekjeprurës, duke e çuar atë sërish në nivele të pakapshme nga analizat. Ky efekt dobiprurës zgjati 5 deri në 13 muaj të tjerë.
Sistemet imunitare të katër makakëve nuk mundën të fitonin kontroll të plotë ndaj virusit, por ruajtën nivele tejet të ulëta të SHIV-it në organizëm, si dhe nivele të shëndetshme të qelizave kyçe imunitare për 2-3 vite pas infektimit.
10 prej 13 primatëve përfituan nga imunoterapia afatgjatë.
Studimi u krye nga shkencëtarë të Institutit Kombëtar të Alergjisë dhe Sëmundjeve Infektive dhe Universiteti Rokfeler në Nju Jork. Përfundimet e studimit u publikuan në revistën shkencore “Natyra”.
Studiuesit do të eksperimentojnë tani duke u dhënë majmunëve me SHIV kundërtrupat gjashtë javë pas infektimit, koha që i duhet përafërsisht virusit HIV që të diagnostikohet te njeriu dhe të nisë trajtimi.
Ka mbi 25 lloj ilaçesh për të trajtuar infeksionin me HIV te njerëzit, por ato duhen marrë çdo ditë për ta mbajtur virusin, që është në gjendje të fjetur, nën kontroll dhe që ai të mos të aktivizohet sërish sapo kura të ndërpritet.
Kërkuesi i Rokfelerit, Michael Nussenzweig, tha se kundërtrupat neutralizuese sigurojnë “imunitet të fuqishëm ndaj HIV-it, duke i lejuar të infektuarit që ta mbajë atë nën kontroll”.
Nussenzweig është shefi i Laboratorit të Imunologjisë Molekulare dhe studiues në Institutin Mjekësor “Howard Hughes”.
Ai thotë se kjo terapi përdor mekanizmat natyralë mbrojtës të vetë organizmit të njeriut për ta mbajtur virusin nën kontroll. Terapia është e ngjashme me imunoterapinë ndaj kancerit, që përdor sistemin imunitar të vetë trupit për të luftuar infeksionin.
Nëse imunoterapia jep efekt te njerëzit, me shumë mundësi do ta bllokojë për një kohë të gjatë virusin që shkakton SIDA-n, duke shmangur nevojën që të infektuarit kanë çdo ditë për ilaçe anti-retrovirale, të cilat kanë efekte anësore. (voa)