Studimi: Gjermania do të humbasë 260 miliardë euro

indeksi i akcioneveLufta në Ukrainë dhe çmimet e larta të energjisë po i kushtojnë Gjermanisë qindra miliarda euro. Në një studim thuhet se edhe punësimi po vuan.

 

Lufta në Ukrainë dhe çmimet e larta të energjisë po i kushtojnë Gjermanisë qindra miliarda euro, thuhet në një studim të fundit. Ekonomia gjermane do të humbasë si pasojë e këtyre zhvillimeve deri në vitin 2030 mbi 260 miliardë euro.

Ky është konstatimi i një studimi që kanë punuar së bashku tre institute kërkimore: Instituti për Tregun e Punës dhe Formimin Profesional (IAB), Instituti Federal për Formimin Profesional dhe Shoqëria për Kërkimin e Strukturës Ekonomike.

 

Më pak vende pune

Sipas studimit të publikuar të martën (09.08), konflikti po dëmton edhe punësimin. Vitin e ardhshëm, rreth 240.000 vetë më pak mund të punësohen sesa para luftës – mesatarja për vitet 2022-2028 do të ishte 150.000 njerëz.

Sipas studimit, produkti i brendshëm bruto (GDP) i rregulluar me çmimin në vitin 2023 do të jetë rreth 1,7 për qind më i ulët se sa po të mos kishte ndodhur sulmi rus në Ukrainë.

“Rritja ekonomike po dobësohet veçanërisht nga rritja e çmimeve të lëndëve të para fosile. Ato po rëndojnë si ekonominë e eksportit, ashtu edhe konsumin e familjeve private.”

Për parashikimin e tyre, studiuesit supozuan se sanksionet kundër Rusisë do të mbeten në fuqi deri në vitin 2030, edhe nëse lufta përfundon më parë. “Për shkak të efekteve të luftës, rritja e parashikuar pas Coronës ka dështuar,” shpjegoi Enzo Weber nga IAB.

 

Fushat që vuajnë më së shumti

Sipas studimit, një nga humbësit e mëdhenj në situatën aktuale do të jetë sërish industria e gastronomisë dhe hotelerisë, e cila është goditur keq edhe nga pandemia e virusit Corona. Këto fusha ekonomike do të ndjejnë dukshëm edhe humbjen e fuqisë blerëse tek qytetarët. “Për shkak të shpenzimeve më të ulëta të konsumatorëve, do të ulet edhe numri i punonjësve në këto fusha”, thotë studimi. Humbës të tjerë do të jenë sektorët me energji, si industria kimike dhe prodhimi i metaleve, por edhe shërbimet sociale.

Për vitin 2030, studimi sheh një efekt pozitiv prej 60.000 vende të reja pune. Por kjo vlen vetëm nëse çmimet e energjisë nuk rriten edhe më shumë. Nëse kjo ndodh, Gjermania do të rrëshqasë në recesion, paralajmëroi Weber.

Në një skenar tjetër, ku çmimet e energjisë rriten dy herë më shpejt, studiuesit shohin ndikimin më të madh në tregun e punës në vitin 2024, me 660.000 punëtorë më pak sesa sikur të mos kishte luftë.

bc/bea/hb (dpa, reuters)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>