Studimi i Shell: Brezi i optimistëve energjikë

Rinia e sotme nuk është më ajo, që ka qenë dikur. Asaj i mungon pesimizmi dhe mungesa e perspektivës. Gjermania duhet të gëzohet për brezin e ardhshëm, konstaton studimi i Shell për rininë.

rinia shellKatër shkencëtarë dhe një ministre ulen para shtypit të kryeqytetit dhe prezantojnë studimin e Shell-it për rininë 2015. Një herë në pesë vjet kompania e naftës Shell analizon frymën aktuale dhe përfytyrimet për vlerat morale të 12 deri 25 vjeçarëve. Edhe këtë vit shkencëtarët dhe opinionistët kanë për të thënë gati vetëm gjëra pozitive për brezin, që po rritet. Mathias Albert, politolog në Universitetin e Bielefeldit, i përshkruan ata që po rriten, si një “brez pragmatik në startim”. Ata janë “plot shpresa dhe kozmopolitë” dhe ndryshe nga brezi i fundit interesohen sërish më shumë për politikën dhe shoqërinë. Ka ikur koha e brezave apatikë. Ka ikur koha e tërheqjes në sferën private. “Ky është një brez, që është i hapur ndaj asaj, që ndodh në botë.”

“Do t’ia dalim disi”

Që ky brez, pavarësisht nga fakti se bota po rrëshqet nga një krizë në tjetrën, mbetet optimist, sipas Albert nuk është naivitet. “Të rinjtë nuk i injorojë krizat në botë”, thekson Albert. Frika nga sulmet terroriste apo nga një luftë në Evropë shtohet madje. Por qëndrimi bazë është: “Disi do t’ia dalim”.

Fjalia përshtatet natyrisht mirë edhe me diskutimin e tanishëm për refugjatët dhe thënien e Angela Merkel: “Ne do t’ia dalim”. Dhe me të vërtetë sot më shumë të rinj kanë frikë më shumë nga ksenofobia se nga emigracioni. Kjo vlen të thuhet si për lindjen ashtu edhe për perëndimin e Gjermanisë, edhe pse frika nga emigracioni në lindje me 37% të të rinjve është më e lartë se në perëndim. Eshtë gjithashtu hera e parë, që më shumë se gjysma e të rinjve thotë se Gjermania duhet të marrë po aq shumë emigrantë si më parë ose edhe më shumë, gjithsesi kjo në kohën para dyndjes së madhe të verës 2015. Anketa është zhvilluar në shkurtin, që kaloi. Por orientimi është i qartë: 82 për qind e të rinjve mendojnë se është e rëndësishme që të ruhet shumëllojshmëria në shoqëri.

Po ta përkthesh qendrimin e këtij brezi në aktualitetin politik në vjeshtë 2015 është më shumë një brez Merkel se sa një brez Seehofer (kryeministri kristiansocial i Bavarisë). Megjithatë shumica e të intervistuarve mund ta refuzojnë me zemërim këtë krahasim. Brezi i ri vetëm i kënaqur nuk është me klasën politike në Gjermani. Edhe pse të rinjtë kanë vlerësim të lartë për sistemin politik, stafi i kësaj demokracie nuk ka reputacion të mirë. Me frazën “politikanët nuk kujdesen për atë, që mendojnë njerëzit”, bien dakord 69 për qind e të rinjve.

“Në rrugë të mbarë”

Një përfaqësuese e kësaj klase politike ndodhet me shkencëtarët në podium. Megjithë një pengesë të vogël për shkak të profesionit të saj, për ministren e Familjes ky është një takim, ku ajo ndjehet mirë. Ajo duket se me të vërtetë ndjehet mirë që të japë lajme të tilla të gëzuara. Prindërve të stresuar nga shqetësimet për të ardhmen e fëmijëve të tyre, ajo u këshillon “që të relaksohen dhe të qetësohen nganjëherë. Sepse brezi i ri është në rrugën e duhur.

Si ministre e Familjes Schwesig është e kënaqur që brezi i ri e vlerëson stabilitetin në miqësitë dhe marrëdhëniet familjare. Ministrja thotë se edhe fakti që dëshira për të pasur fëmijë ka rënë në pesë vitet e fundit, nuk e shqetëson. Vetëm 64 për qind e të rinjve duan të kenë fëmijët e tyre, pesë për qind më pak se para pesë vjetësh. Por kur të rinjtë të vijnë në moshën, që duhet të kenë fëmijë, kjo shifër do të rritet, beson Schwesig. “Dhe deri atëherë ne duhet të punojmë shumë që ekuilibri ndërmjet familjes dhe profesionit të përmirësohet.”

Hendeku social

Schwesig dhe Albert janë të një mendimi, kur thonë se mund të gëzohen që ky brez merr përsipër më shumë përgjegjësi dhe e lë edhe pjesën tjetër të shoqërisë të marrë pjesë në optimizmin energjik të tij. I gjithë brezi? Jo. Dhjetë deri 15 për qind e të rinjve nuk kanë të njëjtin besim si kolegët e tyre. Njerëz pa mbështetje sociale me arsim të ulët e shohin të ardhmen e tyre me pesimizëm si gjithmonë dhe interesohen më pak për shoqërinë dhe politikën. Por numri i tyre as nuk është rritur dhe as nuk ka rënë gjatë viteve. “Ky hendek duket se është çimentuar fort në shoqëri”, konstaton Albert. (dw)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>