Një studim laboratorik tregon se vaksina Pfizer-BioNTech neutralizon variantin me përhapje të shpejtë të koronavirusit të zbuluar së fundmi në Brazil.
Shkencëtarët në firmën Pfizer dhe Universitetin e Teksasit morën gjak nga njerëzit të cilëve u ishte bërë vaksina dhe e përzien atë me një version të përpunuar të mutacionit, të quajtur P.1. Studiuesit zbuluan se vaksina ishte pothuajse aq e efektshme kundër variantit brazilian sa ishte kundër versioneve të tjera, më pak ngjitëse të virusit nga viti i kaluar.
Rezultatet e studimit u botuan në revistën shkencore New England Journal of Medicine.
Në një tjetër zhvillim, fondacioni rus i investimeve të drejtpërdrejta RDIF ka nënshkruar një marrëveshje me kompaninë farmaceutike në Zvicër Adienne për të prodhuar në masë vaksinën Sputnik V të Rusisë për përdorim të mundshëm në Evropë. Vaksina do të prodhohet në objektin e kompanisë në Milano, në bazë të një marrëveshjeje të arritur të martën.
Bashkimi Evropian ka paralajmëruar vendet anëtare që të mos e blejnë vaksinën ruse pasi BE-ja nuk e ka përfunduar ende vlerësimin e saj. Por Agjencia Evropiane e Barnave, është vënë nën kritika në rritje për procesin e ngadaltë të miratimit të vaksinave kandidate, duke bërë që disa vende ta miratojnë në mënyrë të njëanshme vaksinën ruse.
Një studim i botuar në revistën mjekësore Lancet muajin e kaluar tregon se vaksina Sputnik V me dy doza është rreth 92% e efektshme kundër koronavirusit.
voa