Në studimin e parë të këtij lloji, studiuesit austriakë kanë ndjekur lëvizjen e mikroplastikës në sistemin e qenieve njerëzore. Rezultatet tregojnë se plastika që është një element i gjithëpranishëm në jetën tonë, është tani gjithashtu një element konstant në trupin e njeriut.
Hulumtimi u prezantua në këtë javë në Vjenë të Austrisë, në takimin më të madh gastroenterologjik në Evropë, UEG Week.
Në gjurmët e plastikës
Dy studiues austriakë, Dr. Philipp Schwabl me Universitetin Mjekësor të Vjenës dhe Dr. Bettina Liebmann me Agjencinë e Mjedisit në Austri studiuan pjesëmarrës nga vende të ndryshme, përfshirë Finlandën, Italinë, Japoninë, Holandën, Poloninë, Rusinë, Britaninë dhe Austrinë.
Mikroplastikat janë grimca plastike me një madhësi më pak se 5 mm. Ato janë shpesh rruaza të vogla plastike që gjenden në shumë prodhime kozmetike. Disa vende, përfshi Shtetet e Bashkuara, Britaninë dhe Korenë e Jugut, kanë ndaluar produktet me këta përbërës. Por mikroplastika krijohet gjithashtu kur copa të mëdha të plastikës shpërbëhen me kalimin e kohës. Plastika në përgjithësi është kudo. Kombet e Bashkuara vlerësojnë se rreth 8 milion metra tonë plastike përfundon çdo vit në oqeanet e botës. Forumi Ekonomik Botëror vlerësoi se amerikanët hodhën mbi 33 milionë metra tonë plastikë në vitin 2014.
Por ky studim i vogël, sugjeron se plastika, qoftë e keqe apo jo për shëndetin tonë, është tashmë e pranishme tek të gjithë ne.
Pjesëmarrësve në studim iu kërkua të mbanin një ditar ushqimor për shtatë ditë para se të merrnin pjesë në studim. Më pas ata dorëzuan mostra të jashtëqitjes tek studiuesit të cilët i analizuan për përmbajtjen e mikroplastikës.
Çdo mostër testoi positive duke provuar prezencën e mikroplastikës. Hulumtuesit identifikuan deri në nëntë lloje të ndryshme plastike.
Si hyn plastika në sistemin tonë? Në rastet e këtij studimi, plastika që u gjet tek njerëzit është e lidhur me ngrënien e ushqimeve të mbështjella me plastikë apo pirja e lëngjeve nga shishet plastike. Por shumica e pjesëmarrësve gjithashtu kishin ngrënë peshk në dietën e tyre, kështu që Dr.Schwabl thotë se tani, “nuk mund të arrihet në një përfundim të saktë mbi origjinën e plastikës” në sistemin tonë. Nevojiten më shumë studime në të ardhshmen për ta përcaktuar saktësisht sesi hyn plastika në systemin tonë.
Si ndikon plastika në sistemin tonë?
A na bën keq prania e gjithë kësaj plastike në trup? Dr. Schwabl thotë se, tani për tani, nuk ka studime përfundimtare që sugjerojnë se plastika përbën rrezik për njerëzit. Por, ai thotë se “studimet e kafshëve kanë treguar se mikroplastika mund të shkaktojë dëmtim të zorrëve, pakësimin e aftësisë së absorbimit të hekurit dhe stresit hepatik”.
Shqetësimi është se”çfarë do të thotë kjo për ne, dhe sidomos për pacientët me sëmundje gastrointestinale”, thotë Dr. Schwabl. “Ndërsa përqendrimet më të larta të plastikës në studimet me kafshët janë gjetur në zorrë, grimcat më të vogla mikroplastike janë të afta të hyjnë në qarkullimin e gjakut, sistemin limfatik dhe madje mund të arrijnë deri në mëlçi”. Dr. Schwabl thotë se është i befasuar, që plastika duket të jetë e pranishme tek të gjithë ne dhe pret që sasia e mbledhur në trupin tonë të vazhdojë të rritet, nëse bota nuk ndryshon në mënyrë drastike përdorimin e plastikës. (voa)