Prokurori i Francës tha sot se bilanci i sulmit të mbrëmshëm në Nisë deri tani është 84 të vdekur dhe 202 të plagosur, 52 prej tyre në gjendje të rëndë.
Në një deklaratë që bëri sot, François Molins tha se mes të vrarëve janë edhe 10 fëmijë. Dy shtetas amerikanë janë konfirmuar mes atyre që humbën jetën. Policia franceze e ka identifikuar autorin e sulmit si 31-vjeçarin Mohamed Lahouaiej Bouhlel, me shtetësi franceze dhe tuniziane, që banonte në Nisë.
Prokurori tha se në kamionin që Mohamed Lahouaiej Bouhlel përdori për të goditur njerët ishin gjetur armë dhe municione. Ai tha se personi nuk ka qenë objekt hetimesh për radikalizëm, por për vepra të vogla penale.
Bouhlel ishte i divorcuar, me tre fëmijë. Ish-gruaja e tij po merret në pyetje nga autoritetet franceze.
Asnjë grup nuk ka marrë përgjegjësinë për sulmin, edhe pse përkrahës të grupit Shteti Islamik shprehën mbështetje për të në internet. Në një fjalim drejtuar vendit, Presidenti francez Francois Hollande tha se sulmi ishte kryer me synimin “për të kënaqur mizorinë e një individi dhe ndoshta edhe të një grupi.” Në komentet që bëri pasi vizitoi spitalin ku po mjekohen vitkimat, ai tha po ashtu se “Franca po përballet me një luftë, e cila do të vazhdojë gjatë.”
Presidenti Barack Obama bëri një deklaratë, ku e cilësonte sulmin “një sulm terrorist të llahtarshëm”, duke shtuar se Shtetet e Bashkuara kanë ofruar ndihmë për hetimet.
Edhe pse autori i sulmit është identifikuar dhe ai është i vetëm, policia franceze tha se megjithatë, ajo po vazhdon kërkimet për të dyshuar të tjerë. (voa)