Tamarin, majmuni i vogël që po zhdukej

Majmuni TamarinNjë nga gjërat që ia vlen të shihet gjatë Lojrave Olimpike mund të gjendet në pyjet e shtetit Rio. Një krijesë e vogël, që dikur ishte gati duke u zhdukur, e ka marrë veten dhe është duke gjallëruar edhe një herë pyjet tropikale me klithmat e tij të mprehta.

Ky majmun i vogël ka mundur të mbijetojë. I njohur si “Luani i artë Tamarin”, ai jeton në Silva Jardim, vetëm 70 kilometra larg qytetit të zhurmshëm të Rios.

Majmuni me qimen e portokalltë struket në një degë peme, duke fishkëllyer me një tingull të lartë dhe duke përshëndetur majmunët e tjerë në pyll.

Klithma e tamarinëve të rrezikuar të Brazilit ia vlen të festohet, pasi është rezultat i një prej përpjekjeve më frymëzuese për të shpëtuar një nga speciet më të rrezikuara në botë.

Shkencëtarët thonë se ka gati 3 mijë e 200 tamarinë në botë. Në vitet 1990 në pyllin tropikal Atlantik të Brazilit kishte vetëm 150 të tillë.

Për shekuj, këta majmunë të vegjël janë eksportuar si kafshë shtëpiake dhe për t’u ekspozuar në kopshte zoologjike në mbarë botën.

Sot, Rio është i vetmi vend në botë ku tamarinët jetojnë të lirë.

Përpjekja e parë për të shpëtuar tamarinët filloi në vitet 1970, kur një studjues Brazilian zbuloi se numri i tyre po pakësohej. Kur u dha ky alarm, studiuesit në Brazil dhe kudo filluan të punojnë së bashku me pasionin që do të zgjaste për dekada të tëra. Synimi i tyre kryesor ishte të mësonin si t’i inkurajonin majmunët të çiftëzohen.

Studiuesit më pas iu kthyen detyrës më sfiduese: rigjallërimit të pyllit që mbulon rajonin më të populluar të Brazilit, dhe gradualisht t’i linin të lirë në natyrë majmunët.

Oberlan Cabral Junior punon për Shoqatën e Majmunëve Tamarin si specialist. Ai shpjegon natyrën mbrojtëse të majmunëve meshkuj.

“Funksioni i tyre është pikërisht ai – të kontrollojnë zonën dhe të jenë vigjilentë për të mbrojtur familjen e tyre.

Timo Marinissen, një turist nga Holanda, mendon se projekte të tilla të eko-turizmit janë një ide e mirë.

“Janë për t’u vlerësuar përpjekjet që po bëjnë dhe mendoj se është një mënyrë e mirë për të kontribuar si turist, për të shpenzuar disa para nga të cilat do të përfitojnë këta majmunë në një farë mënyre.

Në vitin 1983, studiuesit filluan t’i lenë në natyrë majmunët e mbrojtur, por shumë shpejt panë se ata nuk ishin në gjendje t’u shpëtonin grabitqarëve të pyllit.

Tre dekada më vonë, popullata e tyre është shumëfishuar. Andreia Martins është koordinatore me Shoqatën e Majmunëve Tamarin.

“Rreth 40 përqind e popullatës së tyre sot e ka origjinën nga tamarinët e rritur në kopshtet botanike. Ne i lamë të lirë në natyrë mes viteve 1984 dhe 2002“,shpjegon Martins.

Martins ka punuar me majmunët që nga viti 1982. Ajo është anëtarja më e vjetët e ekipit dhe do të jetë mbajtësja e pishtarit olimpik kur ai të kalojë në këtë rajon, rrugës për në Rio më 2 gusht.

Vizitorët në rezervat kanë të drejtën të fotografojnë majmunët. Charles Avenengo është i mahnitur nga pamja e tyre.

“Po shohim primatët më të bukur në botë,”- thotë ai.

Ferma Cordeiros, si shumë të tjera përreth, është e angazhuar të mbrojë zonën e pyllit që shërben si strehë për rritjen e numrit të majmunëve tamarin.

“Duam që ekoturizmi të kontribuojë gjithashtu drejt zhvillimit rajona, në mënyrë që familjet të mund të jetojnë këtu, të zhvillojmë aktivitete ekonomike që lidhen me mbrojtjen e natyrës”, thotë Luis Paulo Ferraz, me Shoqatën e Majmunëve Tamarin.

Duke promovuar aktivitete të tilla, konservacionistët duan të inkurajojnë gjithnjë e më shumë fermerë të mbrojnë pyjet dhe të ndërtojnë korridore që i lidhin ato, duke zgjeruar zonën ku këta majmunë mund të mbijetojnë dhe të vazhdojnë të shtohen. (voa)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>