Tanket Leopard 2: Çfarë janë dhe si mund t’i ndihmojnë Ukrainës?

Leopard 2Pas trysnisë së madhe nga aleatët e saj, Gjermania ka miratuar të mërkurën e 25 janarit dërgesat e tankeve të teknologjisë së lartë për beteja, Leopard 2, të cilat Ukraina dhe mbështetësit e saj më të mëdhenj perëndimorë shpresojnë se do t’i ndihmojnë ndjeshëm Kievit në luftën kundër pushtuesve rusë.

 

Kancelari gjerman, Olaf Scholz, ka konfirmuar se Berlini nuk do të paraqesë asnjë pengesë që Polonia – mbështetësja më e zëshme e Ukrainës ndër fqinjët nga Bashkimi Evropian – të dërgojë, siç ka kërkuar, tanke Leopard 2, nga arsenali i saj, matanë kufirit, në Ukrainë. Dhe, Gjermania po ashtu ka vendosur që edhe vetë t’i dërgojë Ukrainës tanke të tilla, teksa më herët kishte paralajmëruar se implikimet e një hapi të tillë duhej të shqyrtoheshin me kujdes.

I hedhim një vështrim rëndësisë së këtyre tankeve për mbrojtjen e Ukrainës përballë forcave ruse – dhe shpresave për zmbrapsjen e tyre.

Çfarë është Leopard 2?

Krauss-Maffei Wegmann, prodhues i Leopard 2-shit, e cilëson atë si “tankun më të mirë në botë për betejë”, i cili për gati gjysmë shekulli ka kombinuar aspektet e fuqisë, mbrojtjes, shpejtësisë dhe manovrueshmërisë, duke e bërë atë të përshtatshëm për shumë lloje të situatave të luftimit.

Tanku me peshë prej 55 tonësh ka vend për një ekuipazh prej katër personash, rreze veprimi prej rreth 500 kilometrash dhe shpejtësi maksimale prej rreth 68 kilometrash në orë. Versioni më i hershëm i tankut, i cili tani ka katër variante kryesore, hyri në përdorim në vitin 1979. Arma e tij kryesore është një top 120-milimetërsh, ndërsa ai ka një sistem krejtësisht digjital të kontrollimit të të shtënave.

Sa mund t’i dërgohen Ukrainës?

Një element tërheqës i tankeve të prodhuara nga Gjermania është numri i tyre: Më shumë se 2.000 të tilla janë dërguar në mbi dhjetë vende evropiane dhe në Kanada. Në përgjithësi, Krauss-Maffei Wegmann thotë se mbi 3.500 tanke u janë dërguar 19 vendeve.

Rheinmetall AG, një kontraktues gjerman i mbrojtjes, i cili prodhon topin 120-milimetërsh për Leopard 2-shin, thotë se tanku përdoret “nga më shumë shtete se cilido tjetër lloj”.

Sipas një analize të fundit nga Instituti Ndërkombëtar për Studime Strategjike, një qendër analitike globale me seli në Londër, rreth 350 Leopardë – të versioneve të ndryshme – janë dërguar në Greqi, ndërsa Polonia ka rreth 250 të tillë. Finlanda i ka 200 në përdorim apo në magazina.

Për luftën e Ukrainës kundër Rusisë, “besohet se, në mënyrë që tanket Leopard 2 të kenë ndonjë efekt të ndjeshëm në luftë, nevojiten rreth 100 tanke”, kanë thënë analistët e Institutit Ndërkombëtar për Studime Strategjike.

Ministri i Mbrojtjes i Ukrainës dëshiron 300 tanke, ndërsa disa udhëheqës të vendeve të Bashkimit Evropian e mbështesin kërkesën e tij.

“Neve na duhet një flotë prej 300 tankesh”, ka thënë ministri i Jashtëm i Luksemburgut, Jean Asselborn, të hënën, në Bruksel, duke iu referuar përhapjes së gjerë të Leopardëve nëpër Evropë, dhe nevojës për armatim “sinkronik” – që mund të operojë mirë bashkërisht.

Dhënia e Leopardëve nuk është aq e lehtë sa dërgimi i tyre matanë kufirit nga miqtë më në perëndim, në Evropë. Instituti Ndërkombëtar për Studime Strategjike llogarit se tankistëve dhe stafit mbështetës do t’iu nevojitej trajnim prej tri deri në gjashtë javë për të arritur aftësim bazik.

Ralf Raths, drejtor i Muzeut të Tankeve në Mynster, Gjermani, ka thënë se tankistët ukrainas me përvojë mund të arrijnë të mësojnë përdorimin e tankeve Leopard 2 mjaft shpejt, dhe se trajnimi mund të shkurtohet për t’u fokusuar në njohuritë esenciale.

“A duhet patjetër të shfrytëzohet 100 përqindëshi i potencialit, apo mjafton të shfrytëzohet 80 përqindëshi për gjysmën e kohës? Ukrainasit me siguri do të votonin për opsionin B”, është shprehur ai.

Çfarë dallimi do të bënin Leopardët në luftë?

Yohann Michel, analist hulumtues për çështje ushtarake dhe të mbrojtjes, në Institutin Ndërkombëtar për Studime Strategjike, ka thënë se tanket e tilla do t’i mundësonin Ukrainës të hynte në ofensivë në luftën 11-muajshe, ku ka pasur ngecje prej muajsh pas dy kundërofensivave të rëndësishme ukrainase, të cilat rimorën zona të okupuara nga forcat ruse prej muajsh, në verilindje dhe në jug.

“Në këtë lloj konflikti, thjesht nuk është e mundshme të kryhen ofensiva të mëdha pa llojllojshmërinë e plotë të pajisjeve të blinduara luftarake dhe të autoblindave, dhe tanket janë pjesë e tyre”, ka vlerësuar ai. Përveç tankeve kryesore për betejë, si Leopard 2, përfshihen edhe automjetet luftarake të këmbësorisë dhe transportuesit e blinduar të personelit.

Dërgesat perëndimore të Leopard 2-shit mund t’i ndihmojnë Ukrainës të pajiset me municionet e nevojshme të kalibrit të lartë, për t’i zëvendësuar rezervat e veta të kohës sovjetike, të cilat po harxhohen, duke hapur një rrugë të re për mbërritjen e armatimit perëndimor në Ukrainë, ka thënë ai.

Raths ka theksuar se Leopard 2-shi dhe tanket e ngjashme perëndimore janë më të lëvizshme sesa modelet që i përdor Rusia, të cilat, për shembull, nuk mund të bëjnë lëvizje prapa me shpejtësi.

“Imagjinoni një boksier që nuk mund të lëvizë lirshëm në ring, por vetëm në një drejtim”, ka thënë ai. “Boksieri tjetër, i cili mund të lëvizë në të gjitha drejtimet, ka një përparësi të madhe dhe ky është rasti me Leopardët”.

Megjithatë, edhe tanket kryesore perëndimore për beteja janë të cenueshme nga sulmet ajrore apo sulmet kundërtank të këmbësorisë, teksa ndodhen në pyje dhe zona urbane, duke vënë në pah rëndësinë e mbështetjes kundërajrore dhe të zbulimit, ka shtuar Raths.

Me numra të ngjashëm tankesh në të dyja anët, Leopard 2-shi dhe tanket e ngjashme mund t’i japin Ukrainës një avantazh, veçanërisht kur merret parasysh performanca e dobët taktike e trupave ruse gjatë luftës, ka thënë ai.

“Ukrainasit shkëlqejnë përmes luftimit kreativ, dinamik dhe shpesh shumë të pastër”, ka pohuar Raths. “Prandaj, mund të ngjajë që, nëse do të niste një ofensivë operative e Ukrainës, rusët do të kishin probleme serioze për t’iu kundërvënë asaj”.

Niklas Masuhr, hulumtues në Qendrën për Studime të Sigurisë të Universitetit Federal Politeknik ETHZ, në Cyrih, Zvicër, ka paralajmëruar se vetëm inkuadrimi i Leopardëve në fushëbetejë nuk do të përbënte “një ndryshim të madh, një teknologji fituese të luftës, apo diçka të tillë”.

“Nuk mundesh, thjesht, të dërgosh një tufë tankesh për beteja dhe të presësh që ata do të fitojnë”, ka thënë ai. “Ato janë shumë të vlefshme, por prapëseprapë duhet t’i përdorësh në mënyrën e duhur dhe t’i integrosh ato me mjetet e tjera ushtarake që i ke në dispozicion”, siç është këmbësoria, artileria, mbrojtja ajrore, inxhinierët luftarakë dhe helikopterët.

Pse Ukraina tashmë nuk ka Leopardë?

Gjermania e ka pasur fjalën përfundimtare përkitazi me dërgimin e Leopard 2-shit – edhe nga arsenalet e vendeve të tjera – dhe ka qenë e rezervuar rreth dërgimit të tyre nga kushdo drejt Ukrainës.

Por, aleatët më luftarakë perëndimorë i kanë bërë trysni Gjermanisë për dërgimin e tankeve, teksa Shtetet e Bashkuara të Amerikës, po ashtu, raportohet të kenë ndryshuar mendje pas refuzimit fillestar për t’i dërguar tanket e tyre të fuqishme M1 Abrams.

SHBA-ja ka njoftuar për një pako të re ndihmash ushtarake, e cila, përveç dhjetëra tankeve Abrams, pritet të përfshijë gati 100 automjete luftarake Stryker dhe të paktën 50 autoblinda Bradley. Zyrtarët amerikanë fillimisht kanë thënë se tanket Abrams kanë nevoja komplekse të mirëmbajtjes dhe mund të mos jenë më të përshtatshmet.

Aleatët dhe analistët ushtarakë thonë se Leopard 2-shi ka motor me naftë – dhe jo me karburant aeroplanësh, sikurse M1 Abrams – dhe është më i lehtë për t’u operuar sesa tanket e mëdha amerikane, dhe kësisoj për të nevojitet kohë më e shkurtër trajnimi.

Britania këtë muaj ka njoftuar se do të dërgojë tanke Challenger 2 në Ukrainë, ndërsa Republika Çeke dhe Polonia kanë mundësuar tanke T-72 të kohës sovjetike për forcat ukrainase. Presidenti francez, Emmanuel Macron, ka thënë të dielën se i ka kërkuar ministrit të tij të Mbrojtjes “të punojë” për dërgimin e disa prej tankeve franceze për betejë, Leclerc, në Ukrainë.

Pavarësisht se tanket moderne perëndimore janë superiore në krahasim me modelet që i përdor Rusia, vendet dhuruese që po e furnizojnë Ukrainën me to duhet të përgatiten për humbje, ka thënë Raths.

Leopard 2-shi “është armë sulmuese, e cila do të hidhet në betejat e intensitetit më të lartë”, ka thënë ai. “Automjetet do të shkatërrohen dhe njerëzit do të vdesin në këto tanke”.

rel

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>