Tarifat doganore të Donald Trumpit kundër Kanadasë, Meksikës dhe Kinës i kanë rënduar tregjet botërore. Rendi i tregtisë botërore është i kërcënuar nga “kaosi”, sipas ekonomistëve.
Çmimet e aksioneve ranë në mbarë botën, dollari u rrit, çmimet e naftës u rritën dhe u përgatitën kundërmasa: Këto ishin reagimet e menjëhershme ndaj tarifave të reja të presidentit amerikan Donald Trump ndaj Kanadasë, Meksikës dhe Kinës.
Trumpi kishte njoftuar se Shtetet e Bashkuara do të vendosin tarifa shtesë prej 25% për importet nga Kanadaja dhe Meksika duke filluar nga e marta (4 shkurt 2024), ndërsa tarifat ekzistuese për produktet nga Kina do të rriten me dhjetë përqind. Importet e energjisë nga Kanadaja do t’i nënshtrohen një tarife dhjetë për qind.
Megjithatë, edhe para se tarifat të hynin në fuqi, presidentja meksikane Claudia Sheinbaum njoftoi të hënën (3 shkurt 2015) se kishte pasur një “bisedë të mirë” me Trumpin. Shtetet e Bashkuara fillimisht do të pezullojnë tarifat për produktet meksikane për një muaj.
Masat tarifore të Trumpit janë të paprecedenta në shtrirjen e tyre, duke prekur tre partnerët më të mëdhenj tregtarë të Amerikës në të njëjtën kohë. Ekonomistët druhen se kjo do të dëmtojë rritjen ekonomike në SHBA dhe në mbarë botën.
Presidenti i SHBA, Donald Trump thotë se dëshiron të përdorë tarifat për të eliminuar çekuilibrat e mëdha tregtare dhe për të luftuar trafikun e drogës dhe migrimin e paligjshëm.
Carsten Brzeski, kryeekonomist në ING Bank në Gjermani, i sheh tarifat si fillimin e një “lufte tregtare të plotë që mund të përshkallëzohet”. “Donald Trump jo vetëm që leh, por edhe kafshon”, tha Brzeski për DW. “Dhe duke bërë këtë, ai po përmbush premtimet e tij të fushatës.”
Kërcënimi i një lufte tregtare rëndon mbi tregjet
Në përgjigje të njoftimit të tarifave doganore të Trumpit, indekset e aksioneve aziatike humbën deri në dy për qind të hënën. Disa bursa evropiane, duke përfshirë ato në Frankfurt dhe Paris, shënuan humbje të ngjashme. Trumpi kishte njoftuar se do të vendoste tarifa të ngjashme për produktet nga Bashkimi Evropian “mjaft shpejt”.
Aksionet e prodhuesve evropianë të automobilëve gjithashtu ranë ndjeshëm të hënën. Prodhuesit gjermanë të automobilëve në veçanti, të cilët kanë fabrika edhe në Meksikë dhe eksportojnë makina nga atje në SHBA, ka të ngjarë të goditen rëndë nga tarifat e reja. Rreth dy të tretat e automjeteve Volkswagen të furnizuara në SHBA janë prodhuar në Meksikë.
Zinxhirët e furnizimit për automjetet e shitura në SHBA janë komplekse, me produkte dhe komponentë paraprakë që shpesh kalojnë kufijtë kombëtarë disa herë. Shoqata Gjermane e Industrisë së Automjeteve (VDA) i quajti tarifat një “pengesë të rëndësishme për tregtinë globale të bazuar në rregulla”.
Peso meksikan, dollari kanadez dhe euro ranë kundrejt dollarit amerikan. Euro humbi 2.3 për qind, duke rënë në nivelin më të ulët që nga nëntori 2022.
Çmimet e naftës gjithashtu u rritën më shumë se dy për qind. Tregtarët kanë frikë nga ndërprerjet e furnizimit për shkak të tarifave në eksportet kanadeze të energjisë. Trumpi kishte kërcënuar gjithashtu më shumë tarifa për sektorin e naftës dhe gazit, por nuk dha detaje.
Po përgatiten kundërtarifat
Kryeministri kanadez Justin Trudeau njoftoi se më shumë se 100 miliardë dollarë importe amerikane do t’u nënshtrohen tarifave 25%. Raundi i parë do të fillojë këtë javë.
Disa provinca kanadeze kanë njoftuar gjithashtu masat e tyre hakmarrëse, duke përfshirë ndalimin e shitjes së alkoolit amerikan.
Në shërbimin X, Trudeau bëri thirrje për bojkot të produkteve amerikane dhe i kërkoi publikut të “zgjidhte produktet e bëra këtu në Kanada”. Në një fjalim, Trudeau paralajmëroi amerikanët se tarifat mund të rrezikojnë vendet e punës në SHBA dhe të rrisin koston e ushqimit dhe benzinës.
Para bisedimeve të saj me Trumpin, presidentja meksikane Claudia Sheinbaum kishte udhëzuar ministrin e saj të ekonomisë të zbatonte “Planin B”, i cili përfshin kundërmasa ende të paspecifikuara, përfshirë tarifat.
Nga ana e saj, Kina tha se “do të marrë kundërmasat e nevojshme për të mbrojtur të drejtat dhe interesat e saj”. Pekini tha se masa e Trumpit shkel rregullat e Organizatës Botërore të Tregtisë (OBT) dhe njoftoi një padi.
Trumpi “duket se nuk bën dallim mes miqve dhe armiqve”, tha për DW Rüdiger Bachmann, profesor i ekonomisë në Universitetin e Notre Dame në shtetin amerikan të Indianës. “Kina duket se po pranon një marrëveshje më të mirë se aleatët e saj Kanadaja dhe Meksika.” Trump po e zhyt rendin e tregtisë botërore në “kaos”.
Frikë nga inflacioni dhe recesioni
Sipas Deutsche Bank, tarifat e reja do të prekin 44% të të gjitha importeve amerikane me vlerë rreth 1.35 trilion dollarë. Si rezultat, inflacioni mund të rritet me një përqind për konsumatorët amerikanë, masat do të nënkuptojnë çmime më të larta për mallra si nafta, pajisjet elektronike dhe ushqimet, duke përkeqësuar rritjen e çmimeve në këto zona. Inflacioni më i lartë mund të bëjë që Rezerva Federale e SHBA të mbajë nivelin aktual ose të rrisë normat e interesit.
Institucioni më i madh financiar i Gjermanisë shtoi se tarifat doganore të qëndrueshme do të kishin një “ndikim ekonomik shumë më të madh” në ekonomitë kanadeze dhe meksikane sesa Brexiti në atë britanike. Analistët e bankës besojnë se të dy vendet mund të hyjnë në një recesion si rezultat.
Për industrinë amerikane të automobilave, tarifat mund të shkaktojnë kosto shtesë që arrijnë në 60 miliardë dollarë, raportoi Bloomberg të hënën, duke cituar një studim nga konsulenca e automobilave AlixPartners. Të dhëna të tjera nga Wolfe Research parashikuan se çmimi mesatar i një makine të re në SHBA mund të rritet me rreth 3.000 dollarë.
Ministrja e Jashtme e BE, Kaja Kallas tha të hënën se “nuk ka fitues në luftërat tregtare”. “Ne evropianët kemi nevojë për Shtetet e Bashkuara dhe Shtetet e Bashkuara kanë nevojë për ne,” vazhdoi Kallas.
Pas marrjes së detyrës më 20 janar, Trump urdhëroi një hetim nëse vende të tjera po taksonin kompanitë amerikane në mënyrë të padrejtë. Në këtë rast, fokusi është kryesisht në vendet e BE; rezultatet do të publikohen më 1 prill.
dw