Një burrë hapi zjarr në një kishë afër San Antonios në Teksas të dielën, duke vrarë 26 besimtarë dhe duke plagosur të paktën 20 të tjerë.
Viktimat janë nga pesë deri në 72 vjeç.
Sulmuesi është vrarë po ashtu dhe tash për tash nuk dihet asgjë për motivet e tj.
Agjentët federal, përfshirë ata të FBI-së tashmë janë në qytezën e vogël Sutherland Springs, rreth 50 kilometra nga San Antonio.
Presidenti Donald Trump, e cilësoi ngjarjen si një “akt të së keqes” dhe bëri thirrje për lutje. Ai urdhëroi që flamujt amerikanë të ndërtesat federale të ulen në gjysmë shtizë deri të enjten. Presidenti po e ndjek situatën nga Japonia, ndalesa e tij e parë në vizitën gati dyjavëshe në Azi.
“Nuk mund ta përshkruajmë me fjalë dhimbjen dhe pikëllimin që ndjejmë ne të gjithë dhe nuk mund të përfytyrojmë vuajtjen e atyre që humbën më të dashurit. Zemrat tona janë të thyera”, tha presidenti Trump.
Guvernatori i Teksasit, Gregg Abbott, tha se kjo është vrasja më e rëndë masive në historinë e Teksasit. Ai tha se ka shumë “copëza të një enigme të ndërlikuar” që duhet mbledhur.
Ajo çfarë dihet tash për tash, sipas zyrtarit të sigurisë publike në Teksas, Freeman Martin, është se sulmuesi që u përshkrua si një i bardhë i ri i veshur në të zeza dhe jelek antiplumb, hapi zjarr para kishës baptiste dhe vazhdoi të qëllojë brenda saj.
Freeman tha se një banor lokal iu kundërvu sulmuesit me armën e tij duke bërë që ai të lëshojë armën dhe të largohet me makinë. Qytetari ndoqi sulmuesin dhe më pas policia u bashkua në ndjekje. Freeman tha se i dyshuari përplasi makinën e tij në dalje të kontesë dhe u gjet i vdekur më plagë nga arma e zjarrit. Nuk është e qartë nëse ai vrau veten apo u qëllua nga qytetari.
Sherifi i kontesë Wilson, Joe Tackitt, tha se policia gjeti edhe armë të tjera në makinën e të dyshuarit.
Zëdhënësja e Forcave Ajrore, Ann Stefanek, i tha Zërit të Amerikës të dielën vonë se sipas të dhenave, Devin P. Kelley, kishte shërbyer më parë në kuadër të Forcave Ajrore amerikane nga vitit 2010 deri në vitin 2014.
Kelley ishte shkarkuar nga gjykata ushtarake pas akuzave për sulm mbi bashkëshorten dhe mbi fëmijën e tyre.
Dy nga viktimat e tij u qëlluan në oborr ndërsa të tjerët brenda kishës.
Një dëshmitar, veteran i luftës së Vietnamit, i tha Zërit të Amerikës se “nuk kishte parë një masakër të tillë që nga Vietnami’.
Ndonëse viktimat ende nuk janë identifikuar publikisht, pastori i kishës baptiste, Frank Pomeroy, u tha medieve se e bija 14 vjeçare, Annabelle Renee Pomeroy, është në mesin e të vrarëve.
Sherifi Tackitt, tha se kisha postonte lutjet javore në YouTube, prandaj është e mundur që masakra të jetë regjistruar ne kamera.
Ngjarja e së dielës ndodhi vetëm pak javë pas vrasjes masive në Las Vegas, më 1 tetor. Në atë rast, Stephen Paddock, hapi zjarr mbi turmën në një koncert duke vrarë 58 dhe duke plagosur mbi 500 veta. Edhe më tej hetuesit po punojnë në ndriçimin e motiveve të sulmit. (voa)