Policia e Las Vegasit njoftoi se një 64 vjeçar sulmoi me armë një koncert të muzikës country që po zhvillohej mbrëmjen e së dielës. Sipas njoftimeve, janë vrarë të paktën 58 persona dhe mbi 500 të tjerë janë plagosur. Personi që shtiu vrau veten, sipas burimeve të policisë.
Pamjet filmike nga vendi i ngjarjes në pjesën jugore të qytetit, e njohur si Las Vegas Strip, tregonin njerëzit që fshiheshin për t’u mbrojtur dhe vraponin duke bërtitur, ndërsa në sfond dëgjoheshin të shtëna armësh.
“Të shtënat vazhdonin pa pushim. Kishte vetëm pauza të shkurtra. Por, dukej se vazhduan për rreth 20 minuta. Sapo krijohej një pauzë, vraponim dhe vetëm vraponim. Nuk isha e sigurtë nëse ishin realisht plumba, por njëri prej miqve tanë na tha se u godit dikush pranë nesh”, tregon Vanessa, vizitore nga Kalifornia.
Sherifi i policisë së Las Vegasit, Joseph Lombardo, u tha gazetarëve se sulmuesi ndodhej në katin e 32-të të kazinosë Mandala Bay, përballë vendit të ngjarjes.
“Mendojmë se ai është vendas. Nuk mundem t’jua them ende vendbanimin e tij, pasi po zhvillohet hetimi. Nuk dimë se në çfarë besonte”, tha sherifi Lombardo.
Autoritetet ishin gjithashtu në kërkim të një gruaje që mendohej se ishte shoqëruese e të dyshuarit 64-vjeçar, Stephen Paddock.
Ndër të vrarët janë edhe disa oficerë policie që po ndiqnin koncertin.
Ndërsa ngjarjet zhvilloheshin, njerëzit kërkuan strehim në hotelet e shumtë përgjatë distriktit turistik. Në zonë ndodhet edhe aeroporti ndërkombëtar i Las Vegasit, ku fluturimet u pezulluan.
Presidenti Donald Trump shkruajti në Twitter: “Ngushëllimet më të sinqerta për viktimat dhe familjet e sulmit të tmerrshëm në Las Vegas. Zoti ju bekoftë!”.
Ylli i muzikës country, Jason Aldean, ishte duke kënduar në skenë kur filluan të shtënat. Disa orë më vonë, ai shkruajti në Instagram, duke e përshkruar momentin “të llahtarshëm”.
. (voa)