Shumë votues në Shtetet e Bashkuara janë ende të pavendosur për kandidatin që do të zgjedhin për president në votimet e nëntorit. Atyre po u vjen në ndihmë teknologjia që u ofron informacion për kandidatët dhe çështjet me rëndësi në këto zgjedhje. Disa specialistë të teknologjisë thonë se mjetet e reja po ndryshojnë format ekzistuese të angazhimit politik duke u dhënë njerëzve një platformë të re për të qenë të pranishëm në procesin politik. Korrespondentja Elizabeth Lee njofton nga San Francisco.
Kompania “Brigade” ofron të gjitha privilegjet e një kompanie të re në qendrën teknologjike të Amerikës, Silicon Valley: me ushqim të porositur dhe barin me pije në zyrë. Por, kjo kompani përfaqëson një mënyrë krejt të re në angazhimin politik amerikan. Ajo përpiqet të ndryshojë praktikat e përfshirjes së amerikanëve në procesin politik:
“Duhet t’u japim njerëzve mundësi të thjeshta për të gjetur informacionin që u shërben për marrjen e vendimeve; ky proces duhet të jetë pjesë e jetës së tyre sociale. Ky informacion duhet të integrohet në bisedat e tyre me miqtë; duhet të krijojmë norma sjelljeje rreth idesë së pjesëmarrjes politike,” thotë bashkëthemeluesi i kompanisë Matt Mahan.
Ai shpjegon se me një aplikacion në celular ose përmes internetit, përdoruesit mund të debatojnë temat dhe të përpiqen të bindin të tjerët të marrin një qëndrim të caktuar. Përdoruesit mund të shohin edhe si përputhen pikëpamjet e tyre me qëndrimin e kandidatëve dhe të shprehin mbështetjen për një kandidat të caktuar.
“Mendoj se këtu qëndron thelbi i demokracisë, tek krijimi i një hapësire publike ku njerëzit të diskutojnë mbi vlerat e tyre, mbi këndvështrimet që kanë për çështje specifike dhe të arrijnë tek një përfundim për mënyrat më të mira për një të ardhme që i shërben pjesës më të madhe të popullatës,” thotë zoti Mahan.
Një tjetër kompani e re tekonoligjike me mision politik është “Crowdpac”.
“Po e përdorim teknologjinë për të ndihmuar qytetarin e thjeshtë të angazhohet në politikë,” thotë Gisel Kordestani, bashkëthemeluese e kompanisë.
“Crowdpac” e prezanton veten si një kompani jo-partiake që shërben si platformë për grumbullim fondesh për qëllime politike. Në faqen e saj përdoruesit gjejnë informacion për kandidatët që konkurrojnë për post, identifikojnë kandidatët të cilët kanë qëndrime të përbashkëta me ta për çështjet e ditës dhe grumbullojnë fonde për t’i mbështetur këta kandidatë.
Gisel Kordestani, bashkëthemeluesja e kompanisë thotë se teknologjia po ndryshon praktikat tradicionale të pjesëmarrjes në politikë duke krijuar forma të reja angazhimi. Prandaj, thotë ajo, kandidatët duhet t’i kushtojnë më shumë vëmendje sektorit teknologjik:
“Rajoni teknologjik Silicon Valley është shndërruar në katër dekadat e fundit në një forcë jo vetëm në shkallë vendi, por globale dhe po përcakton platformat dhe rregullat e angazhimit për shoqërinë, për vendin e punës dhe për mjedisin në shkallë globale”.
Gisel Kordestani thotë se shumë kompani në Silicon Valley po e kuptojnë sa e rëndësishme është puna me politikanët dhe qeverinë për të sjellë ndryshime pozitive në shoqëri. (voa)