Paisjet elektronike të përditshme po vazhdojnë të zhvillohen me shpejtësi. Variantet më të reja përfshijnë syze që zmadhojnë realitetin rreth nesh. Ndërsa, paisje regjistruese të aktivitetit tonë sportiv tashmë po përfitojnë opsione të reja dhe jo të gjitha për njerëzit.
Kjo paisje e quajtur Wonderwoof, mund t’i vendoset qenit për të patur një ide për lëvizjet e tij gjatë ditës. Prodhohet me shumëllojshmëri ngjyrash tërheqëse, ndërsa i përçon nga larg të zotit të qenit të gjitha lëvizjet e kafshës besnike.
“Të tregon të gjitha aktivitet e qenit si dhe të ofron mendje të qetë kur jeni larg kafshës tuaj”, thotë Annem Hobson me kompaninë Wonderwoof.
“Solos” janë një palë syze që shfaqin të dhëna të mbledhura nga biçikleta dhe nga vetë çiklisti. Ernesto Martinez është krijues i syzeve Solos.
“Këto syze inteligjente do t’u japin çiklistëve të dhëna të mbledhura në kohë reale duke ua transmetuar vizualisht dhe me zë. Të dhënat për fuqinë, shpejtësinë, ritmin etj. do të shtojnë efikasitetin e trajnimit.”
Ekrani i syzeve “Solos” është me rezolucion të lartë HD dhe shikohet qartë edhe në diell. Ka një bateri të integruar me formë aerodinamike që zgjat për gjashtë orë. Përveç të dhënave të aktivitetit fizik, syzet marrin edhe prej celularit të dhënat për vendndodhjen nëpërmjet GPS-it, si dhe shfaqin mesazhet SMS.
Firma e njohur FitBit ka prodhuar orën e re inteligjente FitBit Blaze, që synon të integrojë sa më shumë opsione që dëshirojnë njerëzit të kenë, ndërkohë që ka lënë jashtë qëllimisht disa opsione që ofrohen nga orët inteligjente të firmave të tjera, si Apple. FitBit përqëndrohet tek aspekti i ushtrimeve fizike dhe ora mund të hiqet dhe të vendoset për t’u përdorur në një tjetër kuadër.
“Është paisje me shumë përdorime. Mund të lëvizet nga rripi dhe të vendoset në një tjetër mbajtëse për t’u shndërruar nga një paisje matëse të ushtrimeve fizike në një paisje që ju shoqëron si aksesor gjatë mbrëmjes që do të kaloni jashtë shtëpisë”, thotë Daniel Shaw with firmën Fitbit.
Firma që prodhon byzylykun “Nex Band” i çon gjërat edhe më tej. Nex Band mund të programohet nga vetë personi për të kryer funksione të ndryshme. Adam Delman është prodhues i Next Band.
“Nuk ka nevojë të jesh programues për ta përshtatur që të kryejë funksione që nga hapja e derës së garazhit, kontrollimin e muzikës që dëshiron të dëgjosh, apo të lajmërojë vetiu miqtë e tu që po shkon për në shtëpi, ose të marrësh lajmet më të fundit për ekipin tuaj sportiv të preferuar.”
Ekspertët tashmë mendojnë se teknologjia që mbartet në trup po ndihmon njerëzit për të lehtësuar mënyrën e tyre të jetesës. (voa)