Teleskopi i hapësirës James Webb

Teleskopi i hapsiresMë 24 prill të këtij viti, do të shënohet 25 vjetori i teleskopit Hubble. Ndërsa ai vazhdon të mbledhë të dhëna dhe imazhe, pasardhësi i tij është duke u përgatitur për nisjen në hapësirë. Teleskopi i hapësirës James Webb, që mban emrin e njeriut  i cili drejtoi NASA-n në vitin 1960, është duke u ndërtuar dhe testuar para nisjes së tij në vitin 2018. Observatori, ndërtimi i të cili ka kushtuar 8 miliardë dollarë është projektuar për të zgjeruar njohuritë e marra nga teleskopi Hubble dhe teleskopët e rinj gjigandë në tokë.

 

Teleskopët Hubble dhe Webb kanë shumë gjëra të përbashkëta. Të dy punojnë në boshllëkun e hapësirës, kanë pasqyra që mbledhin dritën nga yjet e largët, përdorin valë radioje për të transmetuar imazhet dhe punojnë me energji diellore.  Ndryshe nga Hubble, Webb është një teleskop me rreze infra të kuqe, thotë shkencëtari i këtij projekti Matt Greenhouse.

“Kjo do të bëjë të mundur që Webb të shohë objekte shumë të lashta, që janë mes objekteve më të vjetra të gjithësisë”.

Dhe për të bërë këtë, teleskopi Webb do të dërgohet 1.5 milionë kilometra mbi atmosferën e Tokës, ndryshe nga Hubble, i cili fluturon në orbitën e ulët të Tokës dhe sheh vetëm segmentet e vogla, të dukshme, ultravjollcë dhe një segment të vogël të spektrit infra të kuq.

“Përmes rrezeve infra të kuqe, ne mund të shikojmë përtej reve të pluhurit në hapësirë që bllokojnë rajonet e errëta ku lindin yjet. Ne mund të shohim tiparet e atomeve individuale të molekulave në hapësirë që do të na ndihmojë të kuptojmë proceset kimike që ndodhin në hapësirë”.

Pasqyra tepër e lehtë e Webb-it është gjithashtu gjashtë herë më e madhe se sa ajo e teleskopit Hubble dhe instrumentet e tij duhet të mbahen në temperatura jashtëzakonisht të ftohta.

“Më shumë se minus 200 gradë Celsius. Nëse temperatura është mbi zeron absolute,  instrumentet lëshojnë dritë infra të kuqe e cila do ta verbonte teleskopin”.

Mburoja nga dielli e teleskopit Webb përmes reflektimit të dritës nga Dielli, Toka dhe Hëna do ta mbrojë teleskopin nga ngrohja dhe bllokimi i sinjaleve astronomike. E gjithë kjo teknologji e sofistikuar e bën Webb-in 100 herë më të fuqishëm se sa teleskopi Hubble.

“Ne kemi disa aftësi të veçanta në këtë instrument që mundësojnë vëzhgimin e deri 100 galaktikave në të njejtën kohë dhe marrjen e spektreve të tyre”.

Tre vjet para lëshimit në hapësirë, teleskopi Webb tani është në fazën e montimit dhe testimit. Zoti Greenhouse thotë se ekipi duhet të shmangë gabimin që është bërë me dërgimin e teleskopit Hubble në hapësirë me një pasqyrë me probleme.

“Një nga gjërat e mëdha që kemi mësuar nga Hubble është se me atë nuk është bërë një test i plotë optik, ku i gjithë Observatori goditet me drita, ashtu siç ndodh gjatë udhëtimit të tij në hapësirë, për tu siguruar që çdo gjë funksionon”.

Ndryshe nga Hubble, Webb nuk mund të riparohet në hapësirë, kështu që ekipi ka vetëm një shans për ta bërë punën mirë.

“Dhe ashtu si me teleskopin Hubble, është e mundur që pasi të mbarojë ky mision i gjatë, ne do të shikojmë prapa dhe do të kuptojmë se  zbulimet më të rëndësishme dhe pyetjet më të rëndësishme nuk do të jenë ato që ne kishim në mendje gjatë projektimit dhe ndërtimit të tij”.

Hubble ka vepruar shumë më e gjatë se sa pritej dhe zoti Greenhouse shpreson që e njejta gjë do të ndodh edhe me teleskopin Webb. Teleskopi i hapësirës, James Webb është një projekt i Shteteve të Bashkuara dhe agjencive europiane dhe kanadeze të hapësirës. (voa)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>