Shefi i Gardës Revolucionare të Iranit po paralajmëron se bazat ushtarake amerikane në Lindjen e Mesme do të ishin në rrezik nga një sulm iranian me raketa nëse Uashingtoni vë sanksione të reja ndaj Teheranit.
Presidenti amerikan Donald Trump ka në plan që të deklarojë gjatë ditëve në vazhdim se Irani nuk po e respekton marrëveshjen ndërkombëtare të vitit 2015 për frenimin e armëve bërthamore, ndërsa do t’i japë Kongresit 60 ditë afat për të vendosur nëse do të rinovojë sanksionet ekonomike kundër Teheranit.
Nga ana tjetër, media shtetërore në Iran citoi komandantin e njësisë së fushishme të atij vendi, Mohammad Ali Jafari, i cili paralajmëroi të dielën se nëse vendosen sanksione të reja, Shtetet e Bashkuara do të duhet të largojnë bazat e saj rajonale jashtë perimetrit prej 2 mijë kilometrash të raketave iraniane. Bazat ushtarake amerikane ndodhen në Bahrain, Irak, Aman dhe Afganistan, në një largësi prej 500 kilometrash prej kufijve të Iranit.
Shefi i Gardës Revolucionare, Jafari, hodhi poshtë negociatat me Shtetet e Bashkuara lidhur me çështjet rajonale dhe tha se nëse Shtetet e Bashkuara e cilësojnë Gardën Revolucionare si grup terrorist, atëherë edhe Teherani do ta konsiderojë ushtrinë amerikane si terroriste.
“Nëse është e vërtetë se qeveria amerikane me budallallëk do ta konsiderojë Gardën Revolucionare si grup terrorist, atëherë edhe Garda Revolucionare do të konsiderojë ushtrinë amerikane në mbarë botën si Shtetin Islamik, kryesisht në Lindjen e Mesme”¸ tha Jafari.
Ai tha se sanskionet e reja amerikane do u jepnin fund përgjithmonë “çdo mundësie për angazhim” mes Uashingtonit dhe Teheranit.
Presidenti Trump, pas takimit me drejtuesit e lartë amerikanë, tha se Irani nuk ka respektuar marrëveshjen për kufizimin e programit bërthamor që Irani arriti me Shtetet e Bashkuaa, Francën, Britaninë, Gjermaninë, Kinën dhe Rusinë në këmbim të lehtësimit të sanksioneve ekonomike që kanë gjymtuar atë vend.
“Regjimi iranian mbështet terrorzmin dhe eksporton dhunë dhe kaos në Lindjen e Mesme. Prandaj ne duhet t’i japim fund agresionit të vazhdueshëm të Iranit dhe ambicjet bërthamore të tij”, u shpreh Presidenti Trump. (voa)