Tërmet në Turqi e Greqi – të paktën dy të vdekur

termetiNjë tërmet i fuqishëm rrëzoi një ndërtesë mbi turistët në një bar në ishullin turistik Kos në Greqi dhe shkaktoi panik në bregdetin turk të premten herët, duke vrarë dy veta dhe lënduar rreth 200 të tjerë.

Ekipet e shpëtimit thanë se dy veta nga Turqia dhe Suedia vdiqën gjatë rrëzimit të Klubit “White Corner”, kur një tërmet prej 6.5 shkallësh goditi rreth orës 1 e 30 duke dridhur ishujt grekë dhe bregdetin turk të Egjeut në një rajon ku aktiviteti sizmik është i zakonshëm. Pushuesit e vdekur nuk u identifikuan.

Qindra veta ishin në ose afër klubit të popullarizuar, White Corner në qytetin e vjetër Kos, kur ndërtesa pjesërisht u rrëzua.

Të paktën pesë veta pësuan lëndime të rënda derisa turistët dhe banorët lokal vrapuan jashtë ndërtesës, disa syresh madhe duke u hedhur nga ballkonet. Zyrtarët thanë se pese të lënduarit u transportuan me helikopter në një spital në ishullin e Kretës.

Zona e vjetër e qytetit në Kos, plot me bare e klube argëtimi, u mbush me tulla dhe copëra të ndërtesave. Hotelet e ishullit mbetën me xhama të thyer dhe dëmtime tjera duke detyruar qindra turistë të kalojnë pjesën tjetër të natës përjashta, duke u shtrire në plazh me batanije të ofruara nga personeli.

Në mesin e ndërtesave të dëmtuara ishte edhe një xhami e vjetër, minarja e së cilës u rrëzua si dhe një fortesë e shekullit të 14-të në hyrje të portit kryesor të ishullit. Rrugët përgjatë bregut të detit u vërshuan.

Epiqendra e tërmetit ishte rreth 10 kilometra në jug të Bodrumit në Turqi dhe rreth 16 kilometra në verilindje të Kosit në një thellësi prej 10 kilometrash.

Autoritetet turke thanë se rreth 70 veta janë trajtuar në spitalet në zonën turistike në Bodrum për shkak të lëndimeve të lehta, të shkaktuara kryesisht gjatë ikjeve të njerëzve. Por dëmet janë të vogla dhe ata presin që jeta t’i kthehet normalitetit shumë shpejt.

Greqia dhe Turqia shtrihen në një zonë aktive sizmike. (voa)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>