Ndërsa industria energjetike po transformohet ngadalë nga mbështetja tek lëndët djegëse me bazë fosile drejt burimeve të ripërtëritshme, një prej komponenteve thelbësore- bateria- po ashtu po njeh përparime. Bateritë moderne tani kanë kapacitete më të mëdha për ruajtjen e energjisë dhe marrin më pak kohë për t’u karikuar. Kjo nënkupton që përdorimi i tyre si burime energjie mund të zëvendësojë serbatorin e benzinës.
Shumë qytete në mbarë botën, madje edhe ato me transport të mirë publik, po përballen me pasojat e trafikut dhe ndojten e ajrit, prandaj po shtohet rëndësia e përdorimit të energjisë elektrike.
Deri tani, pengesa kryesore për përdorim të gjerë të energjisë elektrike ishte teknologjia e baterive. Bateritë ishin shumë të rënda dhe nuk përmbanin energji të mjaftueshme, ndërsa karikimi merrte shumë kohë. Kjo ka ndryshuar. Hans Thornell drejton kompaninë “Green City Ferries”.
“Teknologjia e baterive po zhvillohet shumë shpejt. Disa vite më parë, kur dolëm me karikimin e shpejtë, ishte diçka e re ndërsa tani është bërë normë”.
Ky zhvillim ka rëndësi për prodhuesit e mjeteve të transportit. Modeli S nga Tesla mund të kapë distanca mbi 500 kilometra me një karikim. Leaf nga Nissan, më pak e kushtueshme, e karikuar gjatë natës mund të përshkojë 160 kilometra, më shumë nga sa duhet për distancat e përditshme. Kompanitë po premtojnë distanca më të largëta në të ardhmen ndërsa makinat me bateri po futen edhe në transportin publik.
Mercedesi ka një autobus që karikon baterinë përmes paneleve diellore ndërsa një kompani në Suedi ka testuar me sukses një traget pasagjerësh që punon me bateri dhe përdor një teknologji të re për fuqinë lëvizëze.
Trageti që nuk ndot mjedisin po ashtu lundron më shpejt se sa anijet e zakonshme me naftë. Ulf Tudem drejton kompaninë “Effect Ships International”.
“Kur njerëzit flisnin për anije elektrike pa ndotje, në mendje kishin modelet e vjetra që kapnin shpejtësinë deri 15 kilometër në orë. Ne menduam të rrisnim shpejtësinë ose ta dyfishonim atë. Kureshtja ishte e madhe se si mund të lundrojë një anije me shpejtësi 55 kilometra në orë.”
Trageti eksperimetal “AiriEl” furnizohet nga bateritë me litium-titanat që karikohen për 15 minuta dhe përshkon më shumë se 25 kilometra.
Trageti ka edhe një projekt inxhinierik të veçantë. Dy motorët elektrikë janë lidhur me dy helika ballore, bazuar në sistemin IPS të kompanisë Volvo. Sistemi mundëson pakësimin e lëkundjeve dhe forma novatore e anijes e ndihmon atë të ngrihet pjesërisht nga ujë kur arrin shpejtësi të madhe.
“Kemi ndërthurur teknologjinë e anijeve që pluskojnë mbi dyshekun e ajrit me teknika të fjalës së fundit të strukturës si fibrat e karbonit duke shtuar sistemin IPS të Volvos në helika”, thotë Ulf Tudem me kompaninë “Effect Ships International”.
Projektuesit e anijes thonë se në trageti mban deri në 70 pasagjerë dhe biçikletat e tyre. Ata thonë se trageti është shumë i përshtatshëm për qytete të ndërtuara në breg të ujërave të lundrueshme. (voa)