Donald Trump fitoi zgjedhjet e para të partisë në Iowa. Në Gjermani bëjnë thirrje për gatishmëri për të gjithë skenarët. Shqetësime në ekonomi dhe politikë.
Në zgjedhjet e para për kandidatin presidencial të Partisë Republikane, Donald Trump shënoi një fitore të qartë dhe çuditërisht të shpejtë. Televizionet kryesore në SHBA e shpallën fitues ish-presidentin vetëm 30 minuta pas fillimit të votimit.
Në vendin e dytë, por me shumë më pak vota se Donald Trump (51 për qind), është Ron DeSantis (21.2 për qind), guvernatori i shtetit federal të Floridës. Ish-ambasadorja e SHBA-së në OKB Nikki Haley (19.1 për qind) është në vendin e tretë. Në vendin e katërt ishte sipërmarrësi Vivek Ramaswamy me 0.7 për qind të votave. Menjëherë pas shpalljes së rezultateve, ai ka bërë të ditur se tërhiqet nga kandidatura dhe ka mbështetur Donald Trump.
Fitorja e Trumpit ishte e pritshme. Ish-presidenti 77-vjeçar udhëhoqi bindshëm në sondazhet e opinionit publik. Haley kishte një fillim të dobët të fushatës disa muaj më parë, por rezultatet e sondazhit të saj janë përmirësuar me kalimin e kohës. Dhe DeSantis, i cili fillimisht u konsiderua kundërshtari më i mundshëm i Trump, filloi të humbasë popullaritetin muajt e fundit. Të dy ata nuk heqin dorë nga kandidatura.
Trump: „Duam uniteti”
Trumpi, i cili ka shpallur vazhdimisht hakmarrje ndaj kundërshtarëve të tij politikë në muajt e fundit, foli për unitet në fjalimin e tij të hënën në mbrëmje (15 janar) pas fitores. Ne duam unitet, qofshin republikanë apo demokratë.
Para qindra mbështetësve të entuziazmuar në kryeqytetin e Iowa-s, Des Moines, ai akuzoi presidentin Joe Biden për “shkatërrimin total të vendit tonë.” “Tre vjet më parë ne ishim një komb i madh dhe sot njerëzit po qeshin me ne,” tha Trump.
Mbështetësit e tij e festuan fitoren në Iowa si “të pabesueshme” dhe “historike”. Senatorja e njohur republikane Lindsey Graham shkroi në rrjetin social X se zgjedhjet paraprake të partisë “praktikisht kanë mbaruar”. Republikanja Elise Stefanik u bëri thirrje kandidatëve të tjerë të tërhiqen në mënyrë që partia të mund të bashkohej pas Trumpit. Ajo shkroi në X se kandidatët e tjerë “s’kanë asnjë shans për fitore”.
Fillimi i vitit zgjedhor
Në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, baza e partisë zgjedh kandidatin e saj për zgjedhjet presidenciale. Votimi është kompleks dhe ndryshon nga një shtet federal në tjetrin. Zgjedhjet paraprake republikane në Iowa shënuan fillimin e vitit zgjedhor në SHBA. Zgjedhjet presidenciale mbahen më 5 nëntor.
Iowa, pa dyshim, nuk ka shumë kuptim për sa i përket numrit të votuesve, por kushdo që arrin rezultate të mira në këtë shtet të vogël federal, mund të llogarisë me një “atmosferë të favorshme” në zgjedhjet e ardhshme.
Ajo që ende mund të pengojë Trumpin në vazhdim janë problemet e tij ligjore. Edhe pse mbështetësit e tij i konsiderojnë proceset gjyqësore kundër kandidatit të tyre si të motivuara politikisht, rezultati i proceseve është ende i pasigurt. Ka mundësi që Trump të dënohet edhe para zgjedhjeve presidenciale. Shumëçka mund të ndodhë edhe në dhjetë muajt e ardhshëm.
Në Partinë Demokratike mendohet se kandidati i tyre tashmë është përcaktuar praktikisht. Joe Biden dëshiron të kandidojë sërish për Shtëpinë e Bardhë. Ky 81-vjeçar nuk ka konkurrencë serioze në partinë e tij.
Shqetësim në Gjermani
Pas këtij suksesi të Donald Trump në zgjedhjet për kandidat, partitë opozitare gjermane të Unionit Demokristian (CDU/CSU) po ushtrojnë presion ndaj qeverisë gjermane që të përgatitet për një mandat të ri të Trumpit. “Qeveria federale nuk mund të injorojë më zhvillimet politike të brendshme në Shtetet e Bashkuara. SHBA-ja si partnere është shumë e rëndësishme për ne”, tha për agjencinë e lajmeve dpa, eksperti i politikës së jashtme të partisë, Jürgen Hardt (CDU).
Sipas tij, zgjedhjet paraprake në Iowa tregojnë si më poshtë: “40 për qind nuk votuan për Trump”. Megjithatë, është koha për t’u përgatitur për mundësinë që Trump të bëhet president.”
Edhe Dhoma Gjermane e Industrisë BDI paralajmëron se fitorja e Trump në zgjedhjet presidenciale mund të ketë pasoja të rënda për Gjermaninë. Shtetet e Bashkuara më pas mund të izolohen përsëri ekonomikisht, komentoi Presidenti i BDI-së, Siegfried Russwurm.
Ai shtoi, se Gjermania duhet të përgatitet për të gjithë skenarët: “Kjo do të thotë: nuk mjafton të shqetësohesh”. Evropa duhet të përgatitet për një botë, në të cilën ne evropianët do të lihemi më shumë vetëm dhe do të mund të mbështetemi më pak në partneritetin transatlantik të sigurisë sesa në 75 vitet e fundit”.
dw