Miliarderi republikan Donald Trump është shpallur fitues i garës presidenciale në Shtetet e Bashkuara, duke arritur një fitore mahnitëse dhe të papritur ndaj kandidates demokrate, ish-sekretares së Shtetit, Hillary Clinton.
Të gjitha agjencitë kryesore të lajmeve e deklaruan 70-vjeçarin Trump fitues të mërkurën herët në mëngjes pas konfirmimit se ai fitoi shtetin e rëndësishëm të Uiskonsënit, i cili i dha atij votat e fundit elektorale që e vunë atë me mbi 270 votat e nevojshme elektorale për të fituar Shtëpinë e Bardhë.
Ai e shpalli fitoren e tij, duke bërë thirrje për bashkimin e kombit pas një fushate mjaft të ashpër.
“Sapo mora një telefonatë nga sekretarja Clinton. Ajo na uroi”, tha ai.
“Tash është koha për Amerikën që të shërojë plagët e ndarjeve. Ne duhet të bashkohemi. Për të gjithë republikanët, demokratët dhe të pavarurit gjithandej këtij kombi, unë them se është koha të qëndrojmë së bashku si një popull dhe një komb i bashkuar. I zotohem çdo qytetari në vendin tonë se do të jem president i të gjithë amerikanëve dhe kjo është shumë e rëndësishme për mua”, tha mes tjerash zoti Trump duke shpallur fitoren e tij.
Ai u zotua edhe për ruajtjen e partneritetit në skenën ndërkombëtare.
“Dua t’i them komunitetit botëror se ndërsa do të vëmë interesin e Amerikës në rend të parë, ne do të punojmë ndershmërisht me secilin. Të gjithë popujt dhe të gjitha kombet tjera. Ne do të kërkojmë mirëkuptimin dhe jo armiqësitë. Partneritetin dhe jo konfliktin”, tha ai.
Trump hyri në ditën e zgjedhjeve me të paktën tre-apo-katër pikë përqindje pas zonjës Clinton në shumë sondazhe të fundit të opinionit. Por ai korri fitore mahnitëse të hershme në shtetet elektorale të pasura si Karolina e Veriut dhe Florida.
Fitorja e tij ndaj zonjës Clinton është edhe më mahnitëse, duke pasur parasysh karrierën e saj të gjatë politike, duke përfshirë edhe detyrën si senatore dhe ish zonja e parë e Shteteve të Bashkuara, gjatë presidencës së bashkëshortit të saj, Bill Clinton, nga 1993-2001. (voa)