Trump kritikon ashpër Zelenskiyn, e quan “diktator të pazgjedhur”

Zelensky TrumpPresidenti amerikan Donald Trump e quajti të mërkurën Presidentin ukrainas Volodymyr Zelenskiy “një diktator i pazgjedhur”, pasi ky i fundit tha se Trump po jeton në një “hapësirë dezinformimi” të shkaktuar nga Rusia. Këmbimet sinjalizojnë një përkeqësim të shpejtë të marrëdhënieve mes dy udhëheqësve, që do të ndërlikonin përpjekjet për t’i dhënë fund luftës.

 

Zoti Trump e kritikoi ashpër zotin Zelenskiy në një postim në mediat sociale, duke e quajtur atë “një komedian me sukses modest”, i cili “arriti të bindte Shtetet e Bashkuara të Amerikës që të shpenzonin 350 miliardë dollarë, për të hyrë në një luftë që nuk mund të fitohej, që nuk duhej të kishte filluar kurrë, por një luftë që ai (Zelenskiy), pa SHBA dhe “TRUMP”, nuk do të mund ta zgjidhë kurrë.

Zoti Trump vazhdoi duke thënë se e vetmja gjë për të cilën zoti Zelenskiy kishte qenë i zoti ishte manipulimi i paraardhësit të tij Joe Biden.

Presidenti Zelenskiy tha më herët se donte që ekipi i zotit Trump “të ishte më i sinqertë” në reagimin e parë pas një sërë komentesh të ashpra nga zoti Trump bëri një ditë më parë, përfshirë sugjerimin se Kievi ishte fajtor për fillimin e luftës, e cila hyn në vitin e saj të katërt javën e ardhshme.

Lufta filloi kur Rusia ndërmori agresionin në shkallë të gjerë ndaj Ukrainës në shkurt të vitit 2022.

Komentet e dy presidentëve ishin një përplasje e papritur mes udhëheqësve të dy vendeve që kanë qenë aleatë të vendosur në vitet e fundit nën administratën e zotit Biden, gjatë së cilës SHBA dërgoi pajisje kritike ushtarake për Kievin për të shmangur pushtimin dhe përdori ndikimin e saj politik për të mbrojtur Ukrainën dhe për të izoluar Rusinë në skenën botërore.

 

Kellogg: SHBA e kupton nevojën e Ukrainës për garanci sigurie

Replikat mes dy udhëheqësve vijnë ndërsa i dërguari i presidentit Trump për Ukrainën dhe Rusinë, Keith Kellogg vizitoi Ukrainën. Ai u tha gazetarëve në Kiev se ai ishte në Ukrainë për të dëgjuar shqetësimet e udhëheqësve ukrainas dhe për t’ia përcjellë ato Presidentit Trump.

“Ne e kuptojmë nevojën (e Ukrainës) për garanci sigurie. Është shumë e qartë për ne rëndësia e sovranitetit dhe pavarësisë së këtij vendi”, tha ai.

I dërguari amerikan tha se Shtetet e Bashkuara duan që lufta në Ukrainë të përfundojë, duke thënë se kjo do të ishte pozitive për rajonin dhe botën.

Vizita e tij në Kiev vjen një ditë pas bisedimeve të zyrtarëve të lartë amerikanë dhe atyre rusë në Arabinë Saudite, pas së cilave Sekretari amerikan i Shtetit Marco Rubio tha se si Rusia dhe Ukraina duhet të bëjnë lëshime.

Po të mërkurën Presidenti francez Emmanuel Macron po mban një raund të dytë bisedimesh me udhëheqësit evropianë, të cilët gjithashku kanë shprehur shqetësimin që janë përjashtuar nga tryeza.

voa

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>