Donald Trump u bë të martën mbrëma zyrtarisht kandidati për president i Partisë Republikane.
Ai mbajti një fjalim nga Kulla Trump e Nju Jorkut, drejtuar me satelit Kuvendit Republikan në Klivlend të Ohajos, duke thënë se fitorja prej tij e emërimit të partisë është diçka që ai nuk do ta harrojë kurrë.
Pas një votimi dhe numërimi të votave në Kuvendin Kombëtar Republikan, zoti Trump fitoi me lehtësi të 1,237 delegatët e nevojshëm.
Emërimi zyrtar erdhi në ditën e dytë të Kuvendit, i cili filloi me protestën e një pjese të delegatëve dhe me përpjekjet për të ndryshuar rregullat e Kuvendit.
Rrugëtimi politik i zotit Trump nisi 13 muaj më parë dhe, gjatë kësaj periudhe, biznesmeni miliarder arriti të mundë 16 rivalë. Kjo përpjekje e tij u shoqërua shpesh me polemika brenda Partisë Republikane.
Djali i tij më i madh Donald Trump Jr., njoftoi mbrëmë mbështetjen e Nju Jorkut, gjatë një numërimi zë për zë të votave në Kuvend dhe kjo i siguroi zotit Trump shumicën e duhur për t’u bërë kandidati që do të përballet më 8 nëntor me kandidaten e pritshme demokrate Hillary Clinton për Shtëpinë e Bardhë.
“Urime baba. Ne të duam,” tha Donald Trump Jr., duke shpallur votën e Nju Jorkut.
Rivalja demokrate e kandidatit Trump, Hillary Clinton, reagoi menjëherë në Twitter. Ajo shkroi: “Donald Trump sapo është bërë i emëruari i Partisë Republikane. Ndihmoni tani që ai kurrë të mos hyjë në Shtëpinë e Bardhë”.
Zoti Trump fitoi gjithsej 1,725 delegatë, i ndjekur nga senatori Ted Cruz i Teksasit me 475. Guvernatori i Ohajos John Kasich mori 120 vota, ndërsa senatori i Floridës, Marco Rubio 114. (voa)