Trump, thirrje për një rizgjim të madh të vendeve sovrane

TrumpPresidenti i SHBA, Donald Trump, bëri thirrje të martën në Kombet e Bashkuara për një “rizgjimi të madh” të vendeve të pavarura sovrane, por u deklaroi udhëheqësve botërorë se ata duhet të përballen kolektivisht me vendet e papërgjegjshme si Koreja e Veriut, Irani dhe Venezuela.

Ai tha në sesionin e hapjes së Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së se Shtetet e Bashkuara “nuk do të kenë zgjedhje tjetër veçse të shkatërrojnë krejtësisht” Korenë e Veriut, nëse janë të detyruara të mbrojë veten dhe aleatët nga një sulm bërthamor apo me raketa të Phenianit.

Udhëheqësi i SHBA satirizoi udhëheqësin e Koresë së Veriut, Kim Jong Un, duke thënë: “Njeriu raketë i ka hyrë një misioni vetëvrasës për veten dhe për regjimin e tij.”

“Përpjekjet e shfrenuara të Koresë së Veriut në drejtim të armëve bërthamore dhe raketave balistike kërcënojnë gjithë botën me humbje të paimagjinueshme jetësh njerëzore,” tha Presidenti Trump. “Është skandal fakti që disa vende jo vetëm që bëjnë tregti me një regjim të tillë, por janë gati të ndihmojnë, furnizojnë dhe mbështesin financiarisht këtë vend që rrezikon botën me konflikt bërthamor”.

Presidenti Trump kritikoi Iranin, duke thënë se udhëheqësit e tij kanë shndërruar “një vend të pasur në një shtet të papërgjegjshëm dhe ekonomikisht të varfër”, që minon paqen në Lindjen e Mesme me aventurat e tij ushtarake. Trump e quajti “turp për Shtetet e Bashkuara” marrëveshjen e vitit 2015 të ndërmjetësuar nga ish-presidenti amerikan Barak Obama dhe pesë fuqi të tjera botërore për të frenuar programin e armëve bërthamore të Iranit.

Të hënën, Presidenti Trump sinjalizoi se SHBA mund të largohen nga marrëveshja me Iranin nëse vërtetojnë se Agjencia Ndërkombëtare për Energjinë Atomike e OKB-së nuk është e rreptë sa duhet në monitorimin e këtij pakti.

Administrata Trump ka deklaruar dy herë se Irani po i përmbahet marrëveshjes, por muajin e ardhshëm përballet me një afat të ri për vlerësimin e saj.

Presidenti Trump e përshkroi regjimin e udhëheqësit të Venezuelës, Nicolas Maduro, si “të korruptuar” dhe tha se Maduro e ka sjellë këtë vend të Amerikës së Jugut “në prag të rrënimit të plotë. Njerëzit vuajnë nga uria dhe vendi i tyre po shkatërrohet,” tha ai.

Presidenti Trump, i zgjedhur vitin e kaluar pas një fushate me moton “Amerika e para”, u bëri thirrje udhëheqësve botërorë “të respektojnë interesat e popullit të tyre dhe të drejtat sovrane të të gjitha vendeve”.

“Në Amerikë, ne nuk përpiqemi t’i imponojmë askujt mënyrën tonë të jetesës”, deklaroi zoti Trump. Por, tha ai, “si president, unë gjithmonë do ta vë Amerikën në radhë të parë. Si udhëheqës, ju duhet t’i vendosni vendet tuaja në radhë të parë”.

“Unë do të mbroj interesat amerikane,” tha Presidenti Trump, por vuri në dukje se SHBA dëshirojnë një botë ku “të gjitha vendet të mund të jenë sovrane, të begata dhe të sigurta.”

“Ne nuk presim që vendet e ndryshme të ndajnë të njëjtat kultura, tradita apo madje edhe sisteme të qeverisjes, por ne shpresojmë që të gjitha vendet të mbështesin dy detyra themelore sovrane – të respektojnë interesin e popullit të tyre dhe të drejtat e çdo vendi tjetër sovran. Ky është vizioni i mrekullueshëm i këtij institucioni si dhe themeli i bashkëpunimit dhe i suksesit.”

“Ne bëjmë thirrje për një rizgjim të madh të kombeve, për ringjalljen e frymës së tyre, krenarisë së tyre, popullit të tyre dhe patriotizmit të tyre”, tha ai. “Ne duhet të mposhtim armiqtë e njerëzimit dhe të zhbllokojmë potencialin e vetë jetës”.

Gjatë fushatës për Shtëpinë e Bardhë, zoti Trump shpesh sulmonte Organizatën e Kombeve të Bashkuara, duke e quajtur të dobët dhe “jo mike të demokracisë” apo të Shteteve të Bashkuara. Që nga ajo kohë ai e ka zbutur retorikën kundër OKB-së. Të hënën Presidenti Trump bëri thirrje për reforma në operacionet e organizatës, duke thënë se OKB-ja mund të jetë “një forcë më e madhe për paqen”.

Në sesionin vjetor të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së në Nju Jork marrin pjesë gjithsej 90 krerë shtetesh, pesë nënpresidentë, 39 kryeministra, tre zëvendëskryeministra dhe 52 ministra. (voa)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>