Kryeministri i majtë grek Alexis Tsipras u takua sot në Moskë me Presidentin rus Vladimir Putin. Greqia, në krizë financiare, është e përfshirë në negociata të vështira me kreditorët e saj evropianë. Qeveria e zotit Tsipras, një koalicion i së majtës radikale dhe i së djathtës nacionaliste, u zgjodh në janar të këtij viti dhe qysh nga fillimi vazhdon të flirtojë me Moskën.
Vizita e zotit Tsipras në Moskë ka ngjallur shpresa të mëdha në Athinë por është bërë shkak edhe për pikëpyetje diku tjetër në Evropë.
“Qëllimi i vizitës sime është që ne së bashku të përpiqemi për t’u dhënë një vrull të ri marrëdhënieve tona në mënyrë që të dy vendet të përfitojnë dhe që kjo të jetë në favor të qëndrueshmërisë dhe sigurisë në rajon,” tha zoti Tsipras.
Presidenti rus, Vladimir Putin, tha se vizita nuk mund të kishte ardhur në një kohë më të mirë për të dy vendet:
“Për fat të keq vitin e kaluar shkëmbimi i mallrave midis dy vendeve ra 40 për qind. Kjo është arsyeja pse unë besoj që kjo vizitë nuk mund të kishte ardhur në një kohë më të mirë. Ne duhet të analizojmë atë që mund të bëjmë për të rivendosur shkallën e mëparshme të rritjes.”
Dje, ministri rus i bujqësisë, tha se qeveria e tij mund të shqyrtojë heqjen e Greqisë, Hungarisë dhe Qipros nga embargoja e Rusisë, e vendosur si kundërpërgjigje ndaj sanksioneve perëndimore kundër Moskës, për shkak të rolit të saj në krizën Ukrainë.
Greqia, e cila që nga viti 2010 varet nga paketa ndërkombëtare e shpëtimit prej mëse 240 miliard dollarësh, do të mbetet pa fonde brenda pak javësh nëse nuk arrin një marrëveshje me kreditorët, që ata të zhbllokojnë të paktën një pjesë të këstit të fundit prej 7.2 miliard eurosh nga paketa e shpëtimit.
Vizita e zotit Tsipras mund të sqarojë nëse ai i sheh marrëdhëniet e tij me Rusinë si një element trysnie për bisedimet me Bashkimin Evropian, apo thjesht synon të përmirësojë marrëdhëniet ndërkombëtare të Greqisë dhe të thellojë lidhjet tradicionalisht të ngrohta mes të dy vendeve. (voa)