Tuluza po bëhet gati të shkëlqejë si qyteti mikpritës i katër ndeshjeve të Kampionatit Evropian të Futbollit që fillon më 10 qershor. “Qyteti rozë” i Francës, që e ka marrë këtë emër nga arkitektura e tij, ka në qendër një ishull, ku ndodhet edhe stadiumi i tij kryesor.
Stadiumi Municipal do të mirëpresë ekipet e Suedisë së Zlatan Ibrahimovicit, Spanjës, Rusisë, Italisë, Republikës Çeke dhe Wellsit në fazën e ndeshjeve në grupe, ashtu si edhe një raund të 16es.
Stadiumi me kapacitet 33 mijë vetë, u ndërtua në vitin 1938 për Kampionatin Botëror dhe është bazë e Klubit të Futbollit të Tuluzës, që ka nxjerrë shumë lojtarë ndërkombëtarë si sulmuesi i krahut Vincent Candela dhe portieri Fabien Barthez. Të dy ata luajtën në kombëtaren e që fitoi kampionatit botëror në vitin 1998.
Barthez, ambassador i Tuluzës për kampionatin që ndihmoi Francën të fitonte në Euro 2000, tha se lojrat e këtij viti do të jenë shumë interesante.
“Për mua Kampionati Evropian është një ngjarje e madhe dhe të gjitha ndeshjet do të jenë të rëndësishme dhe interesante. Prandaj nuk ka ndonjë ndeshje që e pres me më padurim sesa të tjerat. Ndoshta raundin e 16es sepse është eliminator. Por në përgjithësi, do të ketë vetëm ndeshje të forta me ekipe të mrekullueshëm. Jemi me fat që ekipe të mëdhenj si Italia, Spanja, Suedia, Rusia dhe Uellsi luajnë këtu. Dhe mendoj se gjithmonë është më e vështirë të fitosh Euron sesa Botërorin”.
Tuluza quhet qyteti rozë për shkak të relievit të ndërtesave me tulla terrakote dhe shpesh është përzgjedhur si vendi më i dëshirueshëm në vend për të jetuar dhe kryebashkiaku i saj, Jean-Luc Moudenc thotë se banorët presin me kënaqësi ta ndajnë kulturën e qytetit të tyre me tifozët nga e gjithë bota gjatë kampionatit.
“Do t’i presim ngrohtësisht njerëzit, qyteti do të gjallërohet. Është një qytet jugor, me shumë student, shumë aktivitete. Dyqanet do të jenë të hapura, muzeumet do të jenë të hapura, muzikë në gjithë qytetin. Pra kushdo që të vijë do të zbulojë mënyrën tonë të jetesës. Por do të zbulojnë edhe pasurinë dhe trashëgiminë kulturore të qytetit të katërt më të madh të Francës”, thotë Moudenc.
Shqetësimet e sigurisë janë shtuar pas sulmeve që shkaktuar vdekjen e 130 vetëve në Paris, nëntorin e kaluar, përgjegjësinë e të cilave e mori Shteti Islamik.
Autoritetet kanë përforcuar sigurinë në stadium dhe veçanërisht në zonat e tifozëve, gjë që mund të jetë një sfidë për forcat e sigurisë.
Kryebashkiaku Moudenc tha se këto zona të përcaktuara në bulevardin Allee Jules Guesde do të sigurohen me masa të forta, për të mbrojtur mijëra tifozët që do të grumbullohen në qytet.
“Ne bashkëpunuam me qeverinë për një sistem mbrojtës videoje, një sistem kontrolli në hyrje të zonës së tifozëve, dhe mobilizimin e agjentëve të sigurisë. Ne përdorëm maksimumin e buxhetit dhe masave të sigurisë në këtë drejtim”.
Mbi 7 milionë vetë pritet të grumbullohen në zonat e tifozëve në gjithë Francën, ku ata mund të shohin ndeshjet në ekrane gjigande përjashta.
Kampionati Evropian i Futbollit do të mbahet nga 10 qershori në 10 korrik dhe 24 kombëtare nga e gjithë Evropa do të jenë në garë për titullin që herën e fundit u fitua nga Spanja në vitin 2012.
Franca parashikon që në stadium të ketë 2.5 milionë spektatorë dhe miliarda të tjerë t’i shohin ndeshjet në ekranet e televizionit. (voa)