Turqia dhe sulmi i parë ajror kundër IS-it

Politika e gabuar turke ndaj IS-it çoi jo vetëm në sulmet në Suruç, por dhe në përleshjet mes PKK-së dhe IS, që kërcënojnë paqen brenda Turqisë.

helikopterPas sulmit të 20 korrikut në Suruç ku u vranë 32 vetë, zyrtarët turq më në fund vendosën të ndërmarrin një sulm të fortë ushtarak kundër “Shtetit Islamik” (IS). Sulmi i parë ajror turk kundër IS-it, të premten (24.07) në orën 03:40, tregon për një ndryshim në politikën e vendit kundër IS-it.

Arsyeja e sulmit ajror është jo vetëm sulmi mbi Suruç, por edhe rritja e rrezikut përgjatë kufirit të Turqisë dhe brenda vendit. Vetëm pak ditë pas Surucit, militantë hapën zjarr ndaj forcave turke, dhe kjo çoi në përgjigjen ushtarake. Kjo gjithashtu po ndodh pas pothuajse një viti negociatash me Shtetet e Bashkuara dhe rritjen e korrespondencës diplomatike në javët e fundit në lidhje me kontributin e Turqisë në luftën kundër IS-it.

Bashkëpunimi i ngushtë ka çuar edhe në hapjen e bazës ajrore Inçirlik, që është një avantazh i madh për forcat e koalicionit. Deri të premten, baza përdorej për mbështetje logjistike dhe zbulim. Tani forcat e koalicionit do të kenë mundësi të nisin avionë ushtarakë nga kjo bazë. Pra avionët që do të sulmojnë IS-in kanë distanca më të shkurtra për te objektivat e tyre dhe mund të qëndrojnë më gjatë për të zhvilluar aksione luftarake. Kjo përbën një avatazh ushtarak për forcat e koalicionit, por edhe e bën Turqinë një objektiv më të madh në sytë e IS-it.

Dëshira amerikane për të përdorur bazën ajore Inçirlik ka qenë e pranishme që kurse forcat e koalicionit filluan bombardimet ndaj IS-it vitin e kaluar. Megjithatë, kjo nuk u realizua plotësisht sepse presidenti Rexhep Tajip Erdogan dhe presidenti Barack Obama nuk arritën në një mendje për shumë çështje. Një nga elementet ishte ndryshimi në lidhje me qëllimin përfundimtar të luftës kundër IS-it. Prioriteti i Obamës ishte për ta degraduar dhe në fund për ta shkatërruar IS-in. Kurse Erdogan besonte se kjo nuk mund të arrihet pa largimin e Bashar al-Asad, i cili për dekada të tëra është i njohur si strehues i luftëtarëve të Partisë Punëtore Kurde (PKK), që Turqia dhe disa prej aleatëve të saj e konsiderojnë si grup terrorist.

Në anën tjetër, kur nisi ofensiva kundër IS-it, Turqia u përball me marrjen peng të dyzet e nëntë e qytetarëve të saj – përfshi edhe konsullin e përgjithshëm – që u kapën në Mosul në qershor 2014. Kjo gjë u zgjidh pa viktima, por çmimi ishte ende i lartë për Turqinë. Edhe pse e kuptonte se rreziku dhe kërcënimi ishin seriozë, qeveria nuk ndërmori hapat e duhura për ta luftuar këtë organizatë terroriste. Politika e gabuar në këtë fushë çoi jo vetëm në sulmet Suruç, por edhe në përleshjet mes PKK-së dhe IS, duke kërcënuar paqen brenda Turqisë.

Goditje ndaj qelizave terroriste

Kjo na sjell në pjesën e dytë të problemit. Procesi i paqes në Turqi për t’i dhënë fund luftës 30-vjeçare me PKK ka ngecur prej kohësh, si dhe përpjekjet për të formuar një qeveri të re pas zgjedhjeve të qershorit. Ditët e fundit ka pasur një rritje të sulmeve të PKK-së ndaj forcave turke të sigurisë dhe kjo tregon se ky problem është i gjallë.

Pothuajse njëkohësisht me sulmet ajrore në kufirin sirian, më shumë se 5.000 policë filluan një goditje ndaj qelizave terroriste në të gjithë Turqinë. Duket se Shtetet e Bashkuara dhe Turqia kanë arritur në një mirëkuptim për nevojën e luftës kundër të gjitha llojeve të terrorizmit dhe jo vetëm atij të perceptuar si një kërcënim më i madh nga ana e komunitetit ndërkombëtar.

Aspekti më i rëndësishëm për Turqinë në këtë pikë është synimi për paqe dhe stabilitet në vend. Zyrtarët turq deklaruan haptazi se ky nuk është një sulm i vetëm dhe se lufta kundër terrorizmit do të vazhdojë. Dhe ndërsa vendi ka nevojë që të mbrohet nga terrorizmi, ai duhet të kujdeset që të mos bierë në gjendje kaosi.

Për ta bërë këtë duhet të ndërmerren hapa të shumtë. Para së gjithash duhet t’i jepet fund armiqësisë që është krijuar brenda shoqërisë. Të gjithë aktorët politikë duhet të bëjnë thirrje për unitet brenda vendit, sepse terrori në të gjitha format është armiku më i madh. Së dyti, Turqia duhet të përshpejtojë përpjekjet për të siguruar kufirin. Raportet e trevjeçarit të fundit janë dekurajuese. Dhe po ashtu Turqia duhet të merret me problemet shoqërore brenda vendit dhe duhet të shtrojë pyetjen pse qindra të rinj janë bashkuar me IS-in. Po ashtu vendi duhet të ndërmarrë masa konkrete për të luftuar propagandën e IS-it. (dw)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>