Kryeministri turk thotë se hetimet në skenën e shpërthimit në Gaziantep nuk kanë gjetur gjurmë të autorit dhe se nuk duhen bërë hamendësi
Turqia po i tërheq deklaratat se sulmi i së shtunës në një dasmë kurde, ku humbën jetën 54 vetë, ishte akt vetëvrasës nga një fëmijë i dërguar nga Shteti Islamik. Askush nuk ka marrë përgjegjësi për sulmin, por mënyra e realizimit të shpërthimit dhe bomba e përdorur janë të ngjashme me shpërthime të tjera për të cilat është fajësuar Shteti Islamik në të kaluarën:
“Lidhur me sulmin, pa diskutim ishte një shpërthim i fuqishëm. Por ende nuk kemi gjetur gjurmë të autorit. Deri tani janë vetëm hamendësi të bazuara në rrëfimet e dëshmitarëve. Nuk është mirë të bëhen hamendësi për autorin e sulmit dhe organizatën që e mbështeste. Nuk mund ta mbështesim këtë praktikë, pasi nuk i shërben informimit korrekt të opnionit,” tha kryeministri i Turqisë Binali Yildirim.
Autori i sulmit vuri në shenjestër një dasmë kurde në Gaziantep, një qytet 60 kilometra në veri të Sirisë, dhe një destinacion i njohur për ata që përpiqen t’i shpëtojnë konfliktit pesë vjeçar në Siri. Në qytet ka një kamp të madh refugjatësh sirianë.
Presidenti turk Reccep Tayyip Erdogan e ka përshkruar autorin e sulmit si një djalë 12-14 vjeç të dërguar nga ISIS. Thuajse të gjitha viktimat ishin kurdë nën moshën 18 vjeç.
Çifti i sapo martuar foli me gazetarët dje, duke shprehur dhimbjen për të afërmit e vrarë:
“E shndërruan ditën tonë më të lumtur në skëterrë. Nuk më kanë mbetur më kushërinj. Të gjithë u vranë,” tha dhëndri.
Askush nuk ka marrë përgjegjësinë për sulmin, por akte të ngjashme me shpërthimin në Gaziantep si dhe bomba e përdorur janë vërejtur në incidente të mëparshme për të cilat është fajësuar Shteti Islamik. (voa)