Studimet e fundit tregojnë se shtresa e akullit në Groenlandë ndikohet nga reshjet, rrjedhja e ujit, kullimi dhe temperatura. Dy studime të publikuara në revistën “Natyra” përqëndrohen tek efekti i ujit ndaj kësaj shtrese gjigande akulli.
Shtresa e akullnajës së Groenlandës është masa e dytë më e madhe e akullit në Tokë. Rreth 80% e Groenlandës është e mbuluar prej akullit. Sipas Panelit Ndërqeveritar për Ndryshimin Klimatik (IPCC), masa e ujit të ruajtur në formë akulli do të mjaftonte për të rritur nivelet e detrave me shtatë metra. Sipas Institutit Metereologjik Danez (DMI), temperatura e rritur me 1,5 gradë celcius ka efekt të dokumentuar. Faktorët e tjerë, krahas temperaturës së ajrit, nuk janë të mirëdokumentuar.
“Deri vonë, njerëzit mendonin se shtresat e akullit, Antarktika dhe Groenlanda, janë objekte të palëvizshme, që nuk ndryshonin prej impaktit njerëzor dhe se ndryshonin shumë ngadalë vetëm prej klimës. Rishtazi po zbulojmë se këto masa akulli reagojnë me shumë shpejtësi. Reagojnë madje edhe ndaj shirave të fuqishme. Nëse bie shumë shi mbi akull, gjen një mënyrë që të zhvendoset nën të.”
Në një studim, shkencëtarë amerikanë përshkruajnë se si liqenet e krijuara nën akullnajën e Groenlandës, shpesh thahen me shpejtësi më të madhe nga ç’mendohej. Shkencëtarët përshkruajnë se si masa e madhe e ujit mund të çajë akullin dhe të rrjedhë me shpejtësi. Në një rast, një liqen i madh u tha brenda 90 minutave me një shpejtësi më të madhe të lëvizjes së ujit se sa ujëvara e Niagarës. Ky ujë në vijim ndikon bazën e akullit duke përshpejtuar shkëputjen e masave të mëdha të akullit.
“Nëse vendosim një paisje gjurmuese GPS në akull dhe ndodh një shkrirje e madhe, atëherë shikojmë se ajo lëviz me shpejtësi nën shtresën e akullit. Sa herë ndodh të thahet ndonjë liqen me shpejtësi, atëherë vërejmë që edhe shtresa e akullit lëviz më me shpejtësi gjatë asaj periudhe.”
Një studim tjetër i disa universiteteve evropiane përshkruan efektin e madh të reshjeve të fuqishme mbi gjendjen e akullnajës. Reshjet e mëdha kryejnë të njëjtin veprim nën akullnajë si tharja e liqeneve.
“Kur bien shira në përfundim të sezonit të shkrirjes, uji vështirësohet të gjejë dalje dhe zbret nën shtresën e akullit. E gjithë akullnaja fillon të lëvizë më shpejt pasi uji e ngre lart dhe krijon një lloj shtrati lubrifikues. Për shkak të lëvizjes së shpejtuar, atëherë rritet dhe shkëputja e akujve.”
Shkencëtarë nga Nju Jorku filmuan në qershor shkëputjen e një pjese akulli 1 kilometër të gjatë në Groenlandën perëndimore. Ky proçes është natyral, por vlerësohet se që në vitin 1840, shkëputja e akujve të Groelandës është rritur me 40%. Një arsye mund të jetë rritja e reshjeve si pasojë e ndryshimeve klimatike.
“Studimi ynë tregoi se gjatë dekadës së fundit janë shtuar reshjet gjatë sezonit të shkrirjes. Këto janë tashmë të gjithpranishme në Groenlandë, krahasuar me dekadat e mëparshme kur reshjet ishin më të rralla.”
Masa gjigande e akullnajës së Groenlandës prej 2.9 milionë metër kub nuk ka gjasa të zhduket për disa shekuj të tjerë. Por, shkencëtarët paralajmërojnë se nivelet e detrave mund të rriten rrezikshëm qoftë edhe me një shkrirje të një pjese të vogël të akullnajës.
Në Paris do të mbahet më 30 nëntor deri në 11 dhjetor, Konferenca e OKB-së për Ndryshimet Klimatike, që do të synojë të mbajë ngrohjen globale nën nivelin e 2 gradëve celcius. (voa)