Delegacionet ukrainase dhe ruse filluan një raund të katërt bisedimesh për paqen të hënën, një ditë pasi Rusia kreu një sulm vdekjeprurës me raketa ndaj një baze ushtarake ukrainase që gjendet vetëm 25 kilometra nga Polonia, vend anëtar i NATO-s. Të paktën 35 persona u vranë dhe 134 u plagosën në sulmin ndaj Qendrës Ndërkombëtare për Paqeruajtjen dhe Sigurinë.
Bisedimet e paqes të së hënës u zhvilluan ndërsa një zyrtar i lartë amerikan i mbrojtjes tha se “avancimi i Rusisë vazhdon të ketë ngecur” në territorin ukrainas. Ai konfirmoi gjithashtu se Shtetet e Bashkuara nuk kanë bërë më trajnime për ushtrinë ukrainase që kur anëtarët e Gardës Kombëtare të Floridës u larguan me fillimin e luftës. Zyrtari shtoi se baza që u godit nga forcat ruse nuk është përdorur për të dërguar asistencë sigurie për ushtrinë ukrainase dhe për rrjedhojë sulmi nuk ka ndikuar tek asistenca amerikane.
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy konfirmoi se bisedimet filluan rreth mesditës të së hënës. Këshilltari i presidentit Mykhailo Podolyak tha se delegacioni ukrainas do të përsërisë kërkesat e tij gjatë bisedimeve që do të zhvillohen nëpërmjet videokonferencës.
“Pozicionet tona nuk kanë ndryshuar”, tha zoti Podolyak. “Ato janë: paqe, armëpushim i menjëhershëm, tërheqje e të gjitha forcave ruse. Vetëm atëherë do të mund të flasim për marrëdhënie fqinjësie dhe një zgjidhje politike”.
Uashingtoni ka refuzuar kërkesat e Kievit për një zonë ndalim-fluturimi mbi Ukrainën, dhe gjithashtu refuzoi edhe një propozim të Polonisë për të dërguar avionë të prodhimit rus në një bazë amerikane në Gjermani, për t’i dërguar në vazhdim në Ukrainë. Të shtunën, Presidenti Joe Biden autorizoi deri në 200 milionë dollarë asistencë amerikane që do të jepet në formën e përgatitjes ushtarake dhe trajnimit për ushtrinë ukrainase.
Katër senatorë amerikanë vizituan Poloninë gjatë fundjavës për të biseduar me refugjatët ukrainas. Senatorja demokrate Amy Klobuchar tha se Kongresi po shqyrton mënyra të mëtejshme për të forcuar mbrojtjen e Ukrainës.
“Nuk do t’i japim Vladimir Putinit detajet se si do të arrihet kjo”, i tha ajo Zërit të Amerikës në Varshavë. “Ekzistojnë shumë mënyra – qoftë nëpërmjet dronëve apo armëve – që ne mund të ndihmojmë dhe ne jemi qartësisht të përkushtuar për ta bërë këtë. Duhet të bëjmë më shumë”, tha Senatorja Klobuchar.
Anëtarët e delegacionit i thanë gjithashtu Zërit të Amerikës se janë të shqetësuar për krizën humanitare që ka shkaktuar sulmi në Ukrainë.
“Të thyhet zemra kur shikon se ç’po ndodh”, tha Senatori republikan Rob Portman. “Patëm mundësinë t’i vizitojmë refugjatët në kufi. Dëgjuam historitë e tyre për bombardimet, për shtëpitë e shkatërruara dhe familjet e ndara. Shumica ishin fëmijë dhe nëna, ndonjëherë edhe gjyshe me nipër e mbesa. Ajo çfarë na thanë ishte vetëm ‘na ndihmoni që të mbrojmë qiejt tanë’. Një nga gjërat për të cilat po punojmë, dhe kam patur shansin të bisedoj me administratën për këtë, është se duhet të bëjmë gjithçka që është e arritshme dhe praktike, sa më shpejt të jetë e mundur, për t’i dhënë popullit ukrainas aftësinë të mbrojë veten”.
Senatori republikan Roger Wicker i tha Zërit të Amerikës se ishte i zemëruar me kërkesat e Rusisë për të mbajtur territorin e marrë.
“I refuzoj vërtet fjalët për arritjen e një zgjidhjeje sipas së cilës Ukraina do të mbante një pjesë të territorit të saj dhe Rusia do të mbante pjesë të zonave të pushtuara”, tha ai.
Ndërkaq u njoftua se presidenti ukrainas do të mbajë për ligjvënësit amerikanë një fjalim virtual në Kongres të mërkurën. Fjalimi do të transmetohet drejtpërsëdrejti edhe për publikun e gjerë. Gjatë një aktiviteti në Nju Jork, Kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelosi, tha se “është një privilegj të kemi udhëheqësin e këtij vendi, e këtij populli që po lufton për demokracinë e tyre dhe për demokracinë tonë”.
Zoti Zelenskyy tha gjatë një fjalimi të orëve të natës se e djela ishte një “ditë e zezë” për vendin, për shkak të sulmit vdekjeprurës ndaj bazës ushtarake. Ai tha se i kishte paralajmëruar qartë udhëheqësit perëndimorë për gjasat se mund të sulmohej baza ku trajnoheshin njësi të NATO-s së bashku me forcat ukrainase.
“Kjo nuk vjen si suprizë për shërbimet amerikane të zbulimit dhe për komunitetin e sigurisë kombëtare”, tha këshilltari i sigurisë kombëtare të Shteteve të Bashkuara, Jake Sullivan, gjatë një emisioni të kanalit CNN. “Kjo tregon se Vladimir Putini është i irrituar prej faktit se forcat e tij nuk po arrijnë progresin që ai kishte menduar se do të arrinin”.
Në një intervistë me emisionin “Face the Nation” të kanalit CBS, zoti Sullivan paralajmëroi se “nëse Rusia sulmon, godet, apo qëllon në territorin e NATO-s, aleanca e NATO-s do të reagojë ndaj kësaj”.
Zoti Zelenskyy tha të djelën se ka bërë përpjekje për një takim me zotin Putin por se nuk kishte patur sukses, megjithëse delegacionet ukrainase dhe ruse flasin çdo ditë për të krijuar korridore humanitare dhe për të hartuar marrëveshje armëpushimi.
Një zyrtar i lartë izraelit tha se Kryeministri Naftali Bennett pati të hënën një tjetër telefonatë me Presidentin rus Vladimir Putin. Biseda ka zgjatur rreth 90 minuta dhe u përqëndrua tek bisedimet për armëpushim dhe çështjet humanitare, tha zyrtari izraelit që foli në kushte anonimiteti.
Ndërkaq, zoti Sullivan dhe zyrtarët e Këshillit të Sigurisë Kombëtare dhe të Departamentit të Shtetit po takohen në Romë me anëtarin e Byrosë Politike të Partisë Komuniste Kineze dhe drejtor i Zyrës së Komisionit për Marrëdhëniet me Jashtë, Yang Jiechi.
Diskutimi do të jetë “pjesë e përpjekjeve tona të vazhdueshme për të ruajtur linja komunikimi mes Shteteve të Bashkuara dhe Republikës Popullore të Kinës. Dy palët do të diskutojnë përpjekjet për të menaxhuar konkurrencën mes dy vendeve tona dhe do të diskutojnë ndikimin e luftës së Rusisë ndaj Ukrainës tek siguria rajonale dhe globale”, tha zëdhënësja e Këshillit të Sigurisë Kombëtare, Emily Horne.
Në media pati të djelën njoftime se Moska ka kërkuar ndihmë ushtarake dhe ekonomike nga Kina për luftën që Rusia po bën në Ukrainë. Më herët, Shtëpia e Bardhë paralajmëroi Kinën për pasoja të rënda nëse ndihmon Rusinë t’i shmanget sanksioneve.
Zoti Sullivan iu përgjigj edhe shqetësimeve në rritje se Rusia do të përdorë armë kimike në Ukrainë.
“Nuk mund të parashikojmë kohën dhe vendin”, tha ai në kanalin CBS, duke vënë në dukje një përshkallëzim të retorikës së Moskës që akuzon Shtetet e Bashkuara dhe Ukrainën për prodhimin e armëve kimike apo biologjike për t’u përdorur ndaj forcave ruse.
“Është një tregues se rusët po përgatiten për ta bërë këtë gjë” dhe për t’ia kaluar fajin të tjerëve, tha zoti Sullivan.
Në emisionin “Meet the Press” të kanalit NBC, zoti Sullivan tha se “jemi konsultuar me aleatët dhe partnerët tanë për këtë, dhe jemi të përgatitur për çdo zhvillim”.
Ai përsëriti paralajmërimin e bërë nga Presidenti Joe Biden javën e kaluar se Rusia do të përballej me pasoja të rënda nëse do të përdoreshin armë të tilla.
Avokatja e Popullit në Ukrainë tha se forcat ruse përdorën municion me fosfor në një sulm gjatë natës në qytetin lindor ukrainas Popasna, në rajonin Luhansk. Zëri i Amerikës nuk arriti të bëjë verifikimin e menjëhershëm të kësaj akuze. Megjithëse fosfori nuk konsiderohet armë kimike, përdorimi i tij ndaj njerëzve ndalohet nga ligji ndërkombëtar.
Në një video të qarkulluar të hënën, zoti Zelenskyy përsëriti thirrjen që NATO të vendosë një zonë ndalim-fluturimi mbi vendin e tij, duke parashikuar se nëse kjo nuk ndodh “është vetëm çështje kohe përpara se raketat ruse të bien mbi territorin tuaj, mbi territorin e NATO-s”.
Gjatë ditëve të fundit, imazhet satelitore dhe njoftimet në media kanë sinjalizuar se njësitë e blinduara ruse janë përgatitur për të rifilluar një ofensivë madhore në përpjekje për të rimarrë Kievin, kryeqytetin e Ukrainës, pasi kishin bërë një pauzë.
Një regjizor i vlerësuar me çmime dhe gazetar amerikan është ndër viktimat më të fundit të konfliktit pranë kryeqytetit.
Sipas zyrtarëve, Brent Renaud vdiq në Irpin, në rrethinat e Kievit.
“Është një tjetër shembull i brutalitetit të Vladimir Putinit dhe forcave të tij, ndërsa ato sulmojnë shkollat, xhamitë, spitalet dhe gazetarët”, tha zoti Sullivan në emisionin “State of the Union” të kanalit CNN.
Zoti Renaud, i cili kishte punuar më parë për gazetën The New York Times, për rrjetet NBC dhe HBO, “pagoi me jetën e tij ndërsa përpiqej të ekspozonte poshtërsinë, egërsinë dhe pamëshirshmërinë e agresorëve”, tha në një deklaratë, Anton Gerashchenko, këshilltar i ministrit të brendshëm të Ukrainës.
Gjatë ditëve të fundit, fokusi i sulmit është zhvendosur drejt qytetit port të rrethuar në juglindje të Ukrainës, Mariupol.
“Kemi evakuar gati 125 mijë njerëz në terriore të sigurta nëpërmjet korridoreve humanitare”, tha Presidenti Zelenskyy në një fjalim të qarkulluar të djelën. “Po bëjmë çdo gjë për t’iu kundërvënë pushtuesve që po bllokojnë edhe priftërinjtë ortodoksë që i shoqërojnë këto ndihma, ushqime dhe ilaçe. Janë rreth 100 tonë me furnizimet më të domosdoshme që Ukraina i ka dërguar shtetasve të saj”.
* Një pjesë e të dhënave për këtë artikull u morën nga agjensitë e lajmeve Associated Press, Agence France-Presse dhe Reuters.
voa