Ukraina thirrje aleatëve perëndimorë të dërgojnë tanke; SHBA njofton ndihmat më të fundit

Një autoblindë amerikane e tipit Stryker gjatë monavrave në Vilseck të GjermanisëNjë autoblindë amerikane e tipit Stryker gjatë monavrave në Vilseck të Gjermanisë

Pak orë pasi Ukraina i bëri thirrje aleatëve perëndimorë që t’i ndihmojë forcat e saj të mposhtin Rusinë, Shtetet e Bashkuara njoftuan të enjten mbi 2.5 miliardë dollarë ndihma ushtarake – por jo tanke.

Paketa më e fundit e armatimeve amerikane përmban 59 autoblinda luftarake Bradley dhe 90 autoblinda Stryker. Këto shoqërohen nga tre lloje raketash, dhjetëra mijëra predha artilerie dhe mortajash, si dhe sisteme të reja HIMARS të mbrojtjes ajrore.

Sekretari amerikan i Mbrojtjes Lloyd Austin takohet të premten me homologët e tij në Bazën Ajrore Ramstein, ku pritet të njoftohen më shumë ndihma nga vendet e tjera. Sidoqoftë, deri më tani Gjermania dhe Shtetet e Bashkuara po ngurrojnë të ofrojnë tanket Leopard 2 dhe Abrams, që ka kërkuar Ukraina.

Sekretari Austin tha se në takimin në bazën Ramstein “do të ripërtërisim angazhimin tonë të përbashkët për të mbështetur mbrojtjen e Ukrainës në terma afatgjatë”, por nuk përmendi ndonjë paisje të re.

Asistenca e re amerikane e rrit ndihmën e Shteteve të Bashkuara për Ukrainën në pothuajse 27 miliardë dollarë që kur filloi sulmi i Rusisë gati një vit më parë.

Ukraina u bëri thirrje të enjten aleatëve perëndimorë të dërgojnë tanke për të ndihmuar forcat ukrainase që luftojnë kundër forcave ruse, por Gjermania dhe Shtetet e Bashkuara po ngurrojnë t’i ofrojnë këto mjete luftarake.

Në një deklaratë të përbashkët, Ministri i Jashtëm Dmytro Kuleba dhe Ministri i Mbrojtjes Oleksii Reznikov shprehën mirënjohjen për 50 vendet që kanë ndihmuar për forcimin e mbrojtjes së Ukrainës, por thanë se ushtria ruse ka një “avantazh sasior domethënës në trupa, armatime dhe paisje ushtarake”.

Zyrtarët ukrainas thanë se një ndër nevojat më urgjente për të zmbrapsur sulmin rus që filloi një vit më parë është që të pajiset Ukraina me mjete të blinduara moderne dhe që t’u ofrohen forcave ukrainase nëpërmjet tankeve perëndimore kapacitete më të mira për të manovruar dhe për të hapur zjarr.

Ministrat Kuleba dhe Oleksii mirëpritën vendimin e Britanisë për të dërguar tanket e saj Challenger 2 në Ukrainë, duke i bërë ndërkohë thirrje vendeve që disponojnë tanket gjermane Leopard 2 që t’i dërgojnë gjithashtu në Ukrainë.

“Garantojmë se do t’i përdorim këto armë me përgjegjshmëri dhe ekskluzivisht për të mbrojtur integritetin territorial të Ukrainës brenda kufijve të njohur ndërkombëtarisht”, thanë ministrat ukrainas.

Vetëm disa orë pas marrjes së detyrës, ministri i ri i Mbrojtjes i Gjermanisë Boris Pistorius, priti në Berlin sekretarin amerikan të Mbrojtjes Lloyd Austin. Zoti Pistorius tha se armatimet gjermane që i janë dhënë deri tani Kievit, kanë qenë të vlefshme dhe se Berlini do të vazhdojë edhe në të ardhmen, së bashku me partnerët e tij, të mbështesë Ukrainën në luftën e saj për liri, pavarësi territoriale dhe sovranitet.

Por ai nuk përmendi çështjen e tankeve ‘Leopard 2’ që Ukraina i ka kërkuar prej kohësh. Prej javës së kaluar kur Mbretëria e Bashkuar njoftoi se do të dërgojë tanke ‘Challenger 2’, Berlini është përballur me trysni në rritje, për të furnizuar Kievin me tanke luftarake ose të paktën t’u hapë rrugë vendeve të tjera, si Polonisë, që të ofrojnë tanke ‘Leopard’, prodhim gjerman, nga rezervat e tyre.

Më herët të enjten, presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelenskyy shprehu zhgënjimin rreth mungesës së armatimeve të mjaftueshme, ndërsa janë shënuar 11 muaj nga sulmi rus ndaj vendit të tij.

Gjatë një fjalimi online në një takim të fondacionit ‘Victor Pinchuk’ që u mbajt në Davos të Zvricrës, presidenti Zelenskyy shfaqi disa doza kritike ndaj mbështetësve të mëdhenj si Gjermania dhe Shtetet e Bashkuara, të cilët kanë hezituar t’i dërgojnë tanke Kievit. Takimi i fondacioni mbahet paralet me mbledhjen vjetore të Forumit Ekonomik Botëror të Davosit.

Zoti Zelenskyy u ankua për mungesën e armëve specifike dhe tha se lufta nuk mund të fitohet thjesht me motivim moral.

Për muaj të tërë, Ukraina ka kërkuar të furnizohet me mjete më të rënda ushtarake si tanket ‘Leopard’ dhe ‘Abrams’ prodhim amerikan, por udhëheqësit perëndimorë janë treguar të kujdesshëm.

Gjermania ka qenë veçanërisht në qendër të vëmendjes ditët e fundit. Kritikët, disa brenda koalicionit qeverisës të Gjermanisë, janë ankuar prej kohësh rreth atij që shihet si hezitimin i kancelarit Olaf Scholz për dërgimin e armatimeve.

Zoti Scholz ka qenë i kujdesshëm ndaj një trysnie të tillë. Ai ka thënë se Gjermania nuk do ta ndërmarrë e vetme këtë hap, duke u siguruar gjithashtu që NATO të mos bëhet palë në luftë me Rusinë.

Të mërkurën në Davos zoti Scholz shmangu përgjigjen e drejtpërdrejtë ndaj një pyetjeje në lidhje me tanket ‘Leopard’, duke thënë se Gjermania do të mbetet një nga furnizuesit kryesorë me armë të Ukrainës dhe se “Berlini nuk bën kurrë diçka vetëm, por së bashku me të tjerë, veçanërisht Shtetet e Bashkuara”.

* Për këtë artikull u morën materiale nga agjencitë e lajmeve Associated Press, Reuters, AFP

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>