Uragani Harvey preku tokën në juglindje të Teksasit, në qytetin Rockport, të shtunën herët, duke përplasur erëra të forta dhe shi të rrëmbyer në qindra kilometra vijë bregdetare. Sipas autoriteteve, një person ka humbur jetën nga stuhia.
Harvey u tha se është stuhia më e ashpër që godet Shtetet e Bashkuara në më shumë se një dekadë – me erëra prej 209 km në orë.
Stuhia u dobësua gradualisht, dhe pasditen e shtunës, nga uragan, u shndërrua në një stuhi tropikale. Por zyrtarët e Teksasit thanë se ende ka shqetësime për mundësinë e vërshimeve.
Governatori i shtetit, Greg Abbott, tha se “vërshimet dramatike” vazhdojnë të jenë shqetësim për zyrtarët, pasi shirat e rrëmbyer kanë vazhduar gjatë gjithë ditës së shtunë. Në disa zona ranë 50 centimetra shi.
Ndërsa Harvey u afrua, dhjetëra mijëra banorë të Teksasit u larguan nga brigjet, për të shmangur stuhinë kërcënuese.
Dje, presidenti Donald Trump nënshkroi një urdhër federal për fatkeqësi natyrore për Teksasin.
Qendra Kombëtare e Uraganeve e quajti Harvey-n një stuhi kërcënuese për jetën.
Stuhia parashikohet se po lëviz nëpër një brez të gjerë 600 kilometrash të bregdetit të Teksasit.
Kryetari i Bashkisë i Rokportit tha në një intervistë televizive se uragani ka shkaktuar shkatërrime masive të shkollave, bizneseve dhe shtëpive.
Të shtunën në mëngjes rreth 300,000 banorë të zonës ishin pa drita për shkak të stuhisë. (voa)