Uragani Maria goditi sot Porto Rikon, me fuqinë e një stuhije të kategorisë 4 që meteorologët e kanë cilësuar si një uragan me potencial shkatërrimtar.
Qendra Kombëtare e Uraganëve tha se Maria po godet Porto Rikon me erëra me shpejtësi 250 km/orë dhe se shirat e dendur mund të shkaktojnë përmbytje dhe rrëshqitje dheu vdekjeprurëse.
Uragani mbetet kërcënim edhe për Ishujt e Virgjër amerikanë, pasi goditi mbrëmë këto zona.
Epiqendra e uraganit pritet të kalojë mbi Porto Riko dhe më pas të lëvizë drejt Oqeanit Atlantik në mbrëmje sonte, duke goditur Republikën Domenikane nesër në mëngjes.
Guvernatori i Porto Rikos, Rikardo Rossello tha se “janë të pashmangshme dëmet masive” në këtë territor amerikan dhe se zyrtarët kanë përgatitur 500 mjedise që do të shërbejnë si strehime për mbi 100 mijë banorë.
Presidenti Donald Trump ka shpallur gjendjen e jashtëzakonshme në Porto Riko dhe Ishujt e Virgjër amerikanë dhe ka autorizuar Departamentin e Sigurisë Kombëtare dhe Agjencinë e Menaxhimit të Emergjencave të koordinojnë përpjekjet e ndihmave.
Para se të mbërrinte në Porto Riko, uragani Maria goditi ishullin Domenika, ku sipas zyrtarëve ka lënë pas shkatërrime masive. (voa)