Një gjykatëse spanjolle ka lëshuar një urdhër arresti ndërkombëtar për presidentin e rrëzuar të Katalonjës një ditë pasi ajo burgosi tetë anëtarë të qeverisë separatiste të rajonit, në pritje të akuzave të mundshme mbi shpalljen e pavarësisë javën e fundit.
Në zhvillimet më të fundit të krizës politike në Spanjë, një gjykatëse e Gjykatës Kombëtare lëshoi të premten një urdhër arresti evropian për Carles Puigdemont në përgjigje të një kërkese nga prokurorët e shtetit.
Gjykatësja Carmen Lamela paraqiti kërkesën me prokurorin belg për të ndaluar zotin Puigdemont dhe katër ndihmësit e tij, dhe lëshoi urdhër të veçantë ndërkombëtar për kërkim dhe arrestim për të njoftuar Interpolin në rast se largoheshin nga Belgjika.
Prokurorët federalë të Belgjikës thanë se e kishin marrë urdhër-arrestin dhe se do ta marrin në hetim Puigdemontin në ditët në vijim.
Avokati belg i Carles Puigdemont nuk iu përgjigj kërkesave për koment, por ka thënë se klienti i tij do të luftojë kundër ekstradimit në Spanjë pa kërkuar azil politik.
“Të arrestosh dikë ashtu nuk është politikë. Politika është kur bisedohet, diskutohet; t’i arrestosh kështu më duket pak si lëvizje e një qeverie fashiste. Është diçka që nuk ka kuptim në këto kohë në Evropë, të gjithë ne duhet të flasim dhe të diskutojmë, prandaj jetojmë në një demokraci” tha Cristiano, një Barcelonas.
Puigdemont dhe katër të tjerët po kërkohen për pesë krime të ndryshme, duke përfshirë rebelim, kryengritje dhe keqpërdorim fondesh, si pjesë e një hetimi spanjoll në rolet e tyre për shtyrjen e shkëputjes së Katalonias.
Puigdemont u largua për në Bruksel më parë kësaj jave me disa nga ministrat e tij të shkarkuar nga detyra, pasi autoritetet spanjolle e larguan atë dhe kabinetin e tij nga zyra për të shtyrë përpara deklaratën për pavarësi, pavarësisht paralajmërimeve të përsëritura se ishte e paligjshme.
Spanja thotë se e vetmja mënyrë për të shpallur pavarësinë në mënyrë të ligjshme është nëpërmjet reformimit të Kushtetutës spanjolle të vitit 1978, me shumicë të mjaftueshme në parlamentin kombëtar. (voa)