Ushtria amerikane thotë se ka kryer një goditje ajrore që kishte në shenjestër terroristin “Jihadi John” – një ekstremist famëkeq britanik, i cili është shfaqur në disa video duke kryer ekzekutime makabre të pengjeve perëndimore.
Zyrtarët po përpiqen të vlerësojnë pasojat e goditjes dhe të konfirmojnë nëse ekstremisti në fjalë ka mbetur i vrarë. Ata thonë se nuk është ende e qartë nëse terroristi i identifikuar nga agjenci perëndimore të zbulimit si Mohamed Emwazi, u vra mbrëmë nga goditja mbi Raka të Sirisë, që shërben si kryeqendër e Shtetit Islamik.
Zyrtarë të lartë amerikanë e përshkruan operacionin si një goditje e pastër e një makine me të cilën udhëtonte Emwazi, duke shtuar se besohet që ekstremisti ka mbetur i vrarë.
Në komentet e bëra sot jashtë zyrës së tij në Londër, Kryeministri britanik David Cameron tha se ishte ende në pritje të konfirmimit për vdekjen e Emwazit:
“Sulmi ndaj Mohammed Emwazit, shtetas britanik, ka qenë një përpjekje e koordinuar mes Britanisë dhe Shteteve të Bashkuara dhe një akt vetmbrojtjeje. Ishte gjëja e drejtë që duhej bërë.”
Zoti Cameron tha se nëse forcat amerikane kanë arritur ta vrasin Emwazin, kjo do të ishte një goditje në zemër të Shtetit Islamik. Ai e quajti Emwazin një vrasës barbar që përbënte një rrezik serioz për civilët e pafajshëm, jo vetëm në Siri por në të gjithë botën, duke përfshirë Britaninë.
Në një intervistë për televizionin ABC, Presidenti Obama tha se ISIS nuk po fiton terren. Megjithatë ai pohoi se ende nuk janë shkatërruar strukturat udhëheqëse të grupit:
“Ajo që ne nuk kemi arritur të bëjmë ende është t’i presim kokën plotësisht këtij grupi, të eliminojmë strukturat e tij të komandës dhe kontrollit.”
Presidenti Obama tha se është bërë një farë përparimi në përpjekjet për të frenuar lëvizjen e luftëtarëve të huaj që i bashkohen ISIS-it. Një pjesë e qëllimit tonë është rekrutimi i më shumë partnerëve suni në Irak për të kaluar në ofensivë e jo thjesht në pozita mbrojtëse. (voa)