Njoftimet për sulme kibernetike ndaj kompanive dhe qeverive në mbarë botën, këtë vit kanë qënë më shpeshta si titujlajmesh kryesore.Ekspertët e sigurisë kibernetike shpjegojnë pse rreziku nga ndërhyrjet kibernetike tani është më i madh, kush po i kryen ato dhe çfarë mund të bëhet për të parandaluar ose minimizuar dëmet e tyre.
Nga rrjetet e energjisë elektrike, tek korporatat e mëdha, askush në botë nuk është imun ndaj sulmeve kibernetike dhe ky është një problem në rritje.
Jonathan Homer, Departamenti amerikan i Sigurisë Kombëtare:
“Interneti po integrohet gjithnjë e më shumë në jetën tonë të përditshme. Qytetarët, korporatat dhe qeveritë po bëhen më të ndërlidhura dhe po përdorin internetin si shtyllë kryesore të komunikimit dhe bashkëpunimit. Kjo e zgjeron fushën e sulmeve për me qëllime keqdashëse”.
Vartësia më e madhe dhe shtimi i informacioneve dixhitale në internet krijonë mundësi për përfitime më të mëdha financiare për kriminelët. Vitin e kaluar ka patur një rritje të sulmeve me një virus që bllokon informacionet që përdoruesit kanë në kumpjuter duke kërkuar pagesë për zhbllokimin e tyre.
Clifford Neuman nga Qendra e Universitetit të Kalifornisë Jugore për Sigurinë e Sistemit Kompjuterik thotë se:
“Ndërhyrjet e paligjshme në këto sisteme janë duke u bërë gjithnjë e më të lehta pjesërisht pasi mjetet e nevojshme për realizimin e tyre mund të gjenden më me lehtësi në tregun e zi të internetit”.
Ndjekja e kriminelëve nuk është e lehtë thotë John Brown me Byronë Federale të Hetimeve, FBI
“Raportimet për sulme kibernetike tek autoritetet, tek FBI-ja, shërbimi sekret ose agjencitë e tjera të zbatimit të ligji, janë më të ulta se sa ndodhin në realitet. Unë mendoj se është një vendim ekonomik. Ata janë të shqetësuar nga publiciteti”.
Ligjet federale mbi raportimin e ndërhyrjeve janë të paqarta, spjegon Clifford Neuman me Qendrën e Universitetit të Kalifornisë Jugore për Sigurinë e Sistemit Kompjuterik
“Ajo që ndodh në rastin e bizneseve është se në shumicën e rasteve ata nuk e dinë se çfarë informacioni është zbuluar, dhe ndoshta qëllimisht, i mbyllin sytë, duke thënë se e gjithë ajo që dimë është se dikush ka ndërhyrë në sistemin tonë.”
FBI thotë se njerëzit që bëjnë këto ndërhyrje mund të jenë kriminelë që e bëjnë këtë për para ose persona me motive gjeopolitike.
“Është e qartë se ka shtete që janë të përfshira në aktivitete kibernetike. Ato janë të interesuara për vjedhjen e sekreteve tona tregtare, informacionet mbi produktet që kompanitë tona po zhvillojnë, sekretet brenda qeverisë sonë”,thotë John Brown me FBI.
Jonathan Homer me Departamentin amerikan të Sigurisë Kombëtare thotë se:
“Shumica e sulmeve kibernetike shfrytëzojnë dobësitë ose masat e pamjaftueshme mbrojtëse për të arritur qëllimin përfundimtar të sulmuesit. Një nga dobësitë më të mëdha të çdo rrjeti korporatash është elementi njerëzor.”
Pra, nuk bëhet fjalë se a do të ketë sulme kibernetike, por kur do të ndodhin ato.
FBI thotë se ndërtimi i partneriteteve është kritik, në mënyrë qëtë ketë plane mbrojtëse para se të kryhet sulmi.Një mënyrë tjetër për t’u përgatitur është rishikimi i sistemeve të internetit.
“Individë të ndryshëm gjithmonë do arrijnë të ndërhyjnë në rrjet, por duhet të siguroheni që struktura e sistemeve të jetë e tillë që ta minimizojë dëmin e shkaktuar nga ndërhyrja”, thotë zoti Clifford Neuman
Pra, kur një pjesë e një sistemi të jetë komprometuar, të mos dëmtohet i gjithë sistemi, por të jetë ende funksional. (voa)