Vazhdojnë negociatat për Iranin

Irani thotë se është i gatshëm të vazhdojë bisedimet me gjashtë fuqitë botërore për një marrëveshje paraprake mbi programin bërthamor të Teheranit, ndërsa duket gjithnjë e më pak e mundur arritja e një marrëveshje kornizë para afatit të mesnatës sonte.

Një anëtar i ekipit negociues të Iranit, Hamid Baidinejad, tha se zyrtarët iranianë do të vazhdojnë të negociojnë derisa çështjet e mospajtimit të zgjidhen dhe të arrihet një marrëveshje.

Shtëpia e Bardhë tha se është e gatshme të vazhdojë negociatat të mërkurën përsa kohë ato të jenë produktive.

Zyrtarët shtuan ritmin e bisedimeve sot për të hartuar një marrëveshje paraprake, ndërsa paralajmëruan se një marrëveshje mund të mos ketë një nga klauzolat e parashikuara më parë.

Anketa: Amerikanët mbështesin bisedimet bërthamore me Iranin

Një anketë e re në Shtetet e Bashkuara tregon se amerikanët mbështesin gjerësisht përpjekjet për të negociuar një marrëveshje që kufizon programin bërthamor të Iranit, edhe pse ata janë skeptikë se kjo do ta pengonte Teheranin të prodhojë armën atomike.

Nga sondazhi Washington Post-ABC News, i publikuar të martën del se 59 përqind e amerikanëve anketuar janë në favor të arritjes së një  marrëveshjeje, ndërsa 31 për qind janë kundër.

Fuqitë botërore – Kina, Franca, Gjermania, Rusia, Britania dhe SHBA, po përpiqen të mos e lejojnë Iranin të bëhet vendi i 10 në botë me aftësi bërthamore. Marrëveshja synon t’i japë botës të paktën 1 vit kohë nëse Teherani përpiqet për të prodhuar një armë të tillë.

E marta ka shënuar orët kritike për arritjen e një marrëveshjeje mbi programin bërthamor të Iranit, brenda afatit të caktuar. Negociatorë nga gjashtë vende po përpiqen që pas 18 muajsh bisedime të arrijnë në një marrëveshje gjithpërfshirëse. Pjesëmarrësit në Lozanë të Zvicrës komentuan të kujdesshëm lidhur me punën që mbetet për t’u bërë për të tejkaluar dallimet ku përfshihen edhe çështjet kohore të marrëveshjes, heqjen e sanksioneve ndaj Iranit dhe reagimet ndaj Teheranit nëse ky vend shkel masat e marrëveshjes.

Sekretari amerikan i Shtetit Jon Kerry tha se negociatorët përballen me disa çështje të vështira ndërkohë që kryenegociatori iranian Abbas Aragchi, tha se një marrëveshje mund të arrihet ndoshta brenda dy ditësh.

“ Personalisht mendoj se nuk ka gjasa për marrëveshje sot. Por, nesër mund të arrijmë marrëveshjen ose arrijmë në përfundimin se një marrëveshje nuk është  e realizueshme dhe negociatat shkojnë drejt një pike tjetër. Megjithatë, ne shpresojmë se ndoshta neser ose ditën që pason, kjo të realizohet.” 

Një marrëveshje kornizë do të pasohet nga negociata të metejme për të hartuar marrëveshjen përfundimtare deri nga fundi i qershorit. Kombet e Bashkuara dhe qeveritë perëndimore kanë vënë disa sanksione duke i kërkuar Iranit që të pezullojë aktivitetet e pasurimit të uraniumit dhe aspekte të tjera të programit bërthamor.

Teherani prej kohësh ka mohuar se po përpiqet të ndërtojë armë bërthamore dhe këmbëngul se programi ka vetëm qëllime paqësore. Irani dhe grupi ku përfshihen Britania, Kina, Franca, Rusia, Shtetet e Bashkuara dhe Gjermania, njihen për zgjatjen e afateve. Ata e kanë bërë këtë dy herë që kur u pajtuan për një marrëveshje rë përkohëshme bërthamore në nëntor të vitit 2013.

Por, Departamenti i Shtetit tha dje se të dy palët janë të përqendruara për të respektuar afatin e së martës për arritjen e marrëveshjes.  (voa)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>