Viktima e parë në SHBA nga virusi Zika

virusi zikaGjatë fundjavës u njoftua vdekja e parë në SHBA nga virusi Zika ndërkohë që ligjvënësit janë larguar për një pushim një javor. Asnjë nga dhomat e Kongresit nuk ka miratuar ende fonde për të luftuar virusin Zika, pavarësisht paralajmërimeve në rritje nga zyrtarët e shëndetësisë.

 

Vdekja e një të moshuari në Puerto Rico shënoi fillimin ogurzi të virusit Zika në SHBA. Infeksioni i virusit Zika zakonisht nuk është vdekjeprurës, por mund të transmetohet nga një grua shtatëzënë tek foshnja duke shkaktuar mikroqefali dhe probleme të tjera të rënda në tru.

“Kjo është një emergjencë e shëndetit publik. Na kanë paralajmëruar ekspertët e shëndetësisë.”

Shtëpia e Bardhë ka kërkuar rreth 2 miliardë fonde emergjence për të luftuar mushkonjat që mbartin virusin Zika dhe për të zhvilluar një vaksinë. Kongresi i udhëhequr nga republikanët ende nuk ka vepruar.

Senatori republikan John Cornyn:

“Duhet që administrata të paraqesë të paktën një plan se si do të shpenzohen paratë. Nuk ka plan. Është vetëm një çek i bardhë.”

Demokratët përmendin se Kongresi pati miratuar me shpejtësi fonde më të mëdha për të luftuar Ebolën dhe virusin H1-N1.

Senatori demokrat Harry Ried:

“Nëse nuk u japin ekspertëve mjetet që u duhen për të luftuar Zikan, atëherë çfarë propozojnë? Mund t’u kërkojmë mushkonjave mbartëse që të mos shumohen këtë vit.”

Nancy Pelosi, ligjvënëse:

“Ka një kërcënim për shëndetin publik. Ka një krizë. Ne kemi përgjegjësinë të mbrojmë popullsinë. Kongresi duhet të bëjë punën e tij.”

Pa fonde të reja në horizont, administrata Obama po transferon paratë e pashpenzuara për Ebolën, për të luftuar virusin Zika. Republikanët thonë se kjo manovër fiton kohë për të kuptuar më mirë se si do të shpezohen fondet në të ardhmen.

Paul Ryan, Kryetar i Dhomës së Përfaqësuesve:

“Do ta ndjekim këtë çështje. Duhet gjetur një vaksinë. Rreth 600 milionë dollarë janë lëvizur dhe duhen përgjigjur pyetjet se ku po shkojnë këto para.”

Shtëpia e Bardhë këmbëngul se fondet e Ebolës nuk janë të mjaftueshme ndërkohë që koha po kalon.

Josh Earnest, zëdhënës i Shtëpisë së Bardhë:

“Nuk mundemi të gjejmë fondet të tjera për luftën kundër virusit Zika pas disa muajsh. Që të zhvillohet me efikasitet një vaksinë që do të mbrojë mbi 300 milionë amerikanë, duhet një përpjekje komplekse. Diçka për të cilën duhet të angazhohet edhe sektori privat.”

Zyrtarët amerikanë besojnë se mushkonjat mbartëse të virusit Zika mund të përhapen në të paktën 30 shtete amerikane. (voa)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>