Ministri i Brendshëm italian Marco Minniti tha se tuniziani i dyshuar për sulmin e së hënës në Berlin është vrarë në Milano.
“I vrari është pa dyshim Anis Amri,”, tha ministri Minniti, duke ju referuar 24 vjeçarit tunizian i dyshuar se goditi me kamion turmën në tregun e krishtlindjeve në Berlin më 19 dhjetor duke vrarë 12 veta dhe duke plagosur rreth 50 të tjerë.
Ministri Minniti nuk dha shumë hollësi për operacionin që çoi në vrasjen e të dyshuarit në një lagje të Milanos. Ai tha se një patrullë policie e ndaloi Amrin në orët e hershme të mëngjesit të së premtes. Ai nxori revolen dhe qëlloi mbi patrullën duke plagosur njërin nga policët, i cili nuk është në gjendje të rëndë.
Një biletë treni e gjetur në xhepin e Amrit dëshmon se ai kishte udhëtuar me trenin e shpejtë nga Franca për qytetin verior italian të Torinos, prej nga kishte marrë trenin rajonal për në Milano.
Grupi militant Shteti Islamik mori përsipër përgjegjësinë për sulmin në Berlin.
Një nga 12 të vdekurit ishte shoferi polak i kamionit që ishte rrëmbyer. Trupi i tij u gjet i therur dhe i qëlluar më armë zjarri në kamion.
Policia gjithandej Evropës u vu në kërkim të sulmuesit që nga e hëna. (voa)