Meier: “Vullneti për dakordim ekziston”

Bisedimet atomike me Iranin vazhdojnë, megjithë kritikën nga kryeministri i Izraelit, Netanjahu. Shanset për një përfundim me sukses të negociatave janë përmirësuar, thotë eksperti Oliver Meier nga SWP në bisedë me DW.Deutsche Welle: Si i shihni shanset për një përfundim me sukses të bisedimeve atomike me Iranin deri në afatin e caktuar, në fund të qershorit të këtij viti?
Oliver Meier: Shanset, që deri në fund të qershorit të arrihet një rezultat me detaje të negociuara janë përmirësuar javët dhe muajt e fundit. Kjo ka të bëjë nga njëra anë me faktin se Irani u përmbahet detyrimeve të tij në bazë të marrëveshjes kuadër të nëntorit 2013. Veç kësaj, të dyja palët, sa mund ta gjykosh së jashtmi, janë afruar edhe në disa çështje të diskutueshme. Tek pjesëmarrësit më të rëndësishëm është i qartë vullneti, që deri në verë të jetë rënë dakord për një marrëveshje të tillë.
Cilat janë kërkesat minimale të bashkësisë ndërkombëtare, në mënyrë që Marrëveshja të nënshkruhet?
Obama e bëri edhe njëherë të qartë: nga njëra anë synohet të garantohet që Iranit t’i duhet të paktën një vit kohë, për të prodhuar një sasi të konsiderueshme materiali bërthamor për t’u përdorur në në një bombë atomike. Nga ana tjetër, duan që inspeksionet të organizohen në mënyrë të tillë, që të ekzistojë një siguri e madhe për të zbuluar edhe pajisje eventuale sekrete të Iranit, dhe kjo kërkohet të fiksohet për disa vite me radhë. Kërkesa e Obamas për një kohëzgjatje të paktën dyvjeçare të një marrëveshjeje të tillë në thelb nuk është e re, ajo është shtruar vitin e kaluar.
Çfarë roli kryen çështja e sanksioneve kundër Iranit në negociata?
Çështja e “heqjes ose e suspendimit të sanksioneve” është ajo ku aktualisht çalon puna, sepse pala iraniane kërkon sa më shpejt heqjen e sanksioneve. Këtu mundësitë e Perëndimit, veçanërisht të SHBA, janë të kufizuara, sepse në disa raste në SHBA duhet të votojë edhe kongresi. Prandaj synohet që në fillim sanksionet të suspendohen, për të pasur mundësinë për t’i rivendosur ato më vonë, po të dalin probleme me vënien në jetë të marrëveshjes.
A janë frikërat e Netanjahut për një Iran të armatosur me armë bërthamore jorealiste?
Jo, të tilla ato nuk janë, sepse Irani në fakt ka mashtruar dhe ka bërë truke për shumë vjet. Por Netanjahu ndjek një rrugë tjetër: ai do që në bazë të marrëveshjes me Iranin të vihet edhe theksi tek vlerësimi politik për besueshmërinë e një shteti të kontrolluar, në këtë rast të Iranit. Por këtu duhet të zbatohen kritere teknike matjeje. (dw)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>