Wikileaks ka zbuluar një hapësirë të veçantë kërkimi për emailat e Hillary Clinton gjatë kohës sa ajo shërbeu si Sekretare e Shtetit amerikan.
Në këto letërkëmbime, që i ka dërguar apo pranuar kandidatja kryesore për Presidente të SHBA-ve, apo dikush nga stafi i saj, gjendet edhe një që i përket pazareve që janë bërë me Kosovën nga Palestina.
Në dokumentin e datës 23 shtator të vitit 2011, të cilin e ka dërguar në adresën e administratës së Clintonit ish-Ambasadorja Amerikane në KS të OKB-së, Rosemary A. DiCarlo, Palestina ka kërkuar nga Serbia që të ndikojë tek anëtari serb i presidencës boshnjake, Milorad Dodik, që të votojnë për pranimin e saj në Këshill të Sigurimit të OKB-së, sepse në të kundërtën, siç zbulohet në dokumentin e paklasifikuar, “Serbia do ta humb Kosovën pasi shtete arabe do ta njohin pavarësinë e saj”, raporton Koha.net.
“Presidenti i Bosnjës ka përmendur se palestinezët janë rreshtuar në krah të Tadiqit për të bindur anëtarin serb të presidencës tre-anëtarëshe të Bosnjës për të votuar për anëtarësim të plotë për Palestinën në Këshillin e Sigurimit të OKB-së. Deri më tani, serbi i Bosnjës ka kundërshtuar. Meqë nuk ka konsensus, Bosnja do të abstenojë në KS të OKB-së. Me sa duket, palestinezët po i thonë Tadiqit se një numër i shteteve arabe do ta njohin Kosovën nëse Serbia dhe serbët e Bosnjës nuk i përkrahin”, shkruan në emailin e ish-Ambasadores Amerikane në KS të OKB-së, Rosemary A. DiCarlo, dërguar nga Jake Sullivan, i cili shërbeu si zëvendësshef i Stafit në Departament, ndërsa tani shërben si këshilltar politik i fushatës së saj presidenciale.