Hulumtuesit thonë se, rreth një miliardë vjet më parë, Toka kishte shumë më shumë oksigjen se sa mendohej deri tani. Ky zbulim mund të ndryshojë teorinë e evoluimit të jetës në Tokë.
Ky zbulim i studiuesve të Universitetit Brock në Kanada, u bë i mundur pas përdoriomit të një metode të re për të analizuar atmosferën e Tokës në lashtësi, duke analizuar flluska ajri mikroskopike të bllokuara në kristalet e kripës.
Synimi i ekipit të Universitetit Brock ishte të maste nivelet e oksigjenit në atmosferën e Tokës gati një miliardë vjet më parë.
“Është debatuar shumë se çfarë përmbajtje oksigjeni kishte Toka rreth 800 milionë ose më shumë vjet më parë,” thotë Profesori i Shkencave të Tokës Nigel Blamey.
“Ne kemi zbuluar një metodë direkte për të analizuar përmbajtjen e gazeve fosilorë të bllokuar dhe mësuam se niveli i oksigjenit ka qenë sa gjysma e nivelit të sotëm”.
Deri tani besohej se oksigjeni në atë kohë përbënte vetëm 2 për qind të atmosferës, por studiuesit thonë se pas analizave të reja, rezulton se ai përbënte rreth 10,9 për qind, rreth gjysma e nivelit të sotëm të oksigjenit në atmosferë.
Para studimit nga Universiteti Brock, flluskat e ajrit në kripën e gurit, ishin shumë të vogla për t’u analizuar.
Hulumtuesit thonë se gjetjet e tyre kanë “pasoja të mëdha” për teoritë në lidhje me mënyrën e evoluimit të jetës në Tokë.
“Deshifrimi i historisë së oksigjenimit të atmosferës dhe oqeaneve është jetik për të kuptuar proceset e erozionit, të shtresave sedimentare, ndryshimeve klimatike, zhdukjeve masive, lëvizjeve tektonike dhe evoluimin e jetës në Tokë”, thotë studimi i ekipit.
Profesori i Shkencave të Tokës Uwe Brand pajtohet me këtë.
Ai i tha kanalit televiziv kanadez CBC se nivelet e larta të oksigjenit në të kaluarën mund të ndryshojnë teorinë se kur filloi zhvillimi i jetës në planet.
“Tani paleobiologët do të kenë arsye për të studiuar dhe kërkuar gurë që përmbajnë gjurmë origjinale të këtyre hapave të parë evolucionarë”, i tha CBC-së zoti Brand. (voa)