Zbulimi amerikan: Rusia po përgatitet për një konflikt të gjatë në Ukrainë

UkrainaLufta tre-mujore e Rusisë në Ukrainë ndodhet “në një lloj ngecjeje” dhe Presidenti rus Vladimir Putin duket se po përgatitet për një konflikt të gjatë, thanë të martën zyrtarë të lartë të zbulimit amerikan.

Rusia, e cila e quan sulmin “një operacion special ushtarak”, dislokoi muajin e kaluar më shumë trupa në Ukrainë, për një ofensivë të madhe në pjesën lindore të vendit, por përparimi ka qenë i ngadaltë.

Sulmi i Rusisë në ditët e para të luftës në fund të shkurtit për të marrë Kievin dështoi si pasojë e rezistencës së fortë ukrainase.

Rusët nuk po fitojnë dhe as ukrainasit nuk po fitojnë, dhe situata është futur në një lloj ngecjeje“, tha gjeneral-lejtnanti Scott Berrier, kreu i Agjencisë së Zbulimit Ushtarak, para Komisionit të Senatit për Forcat e Armatosura.

Ai shtoi se deri më tani, 8 deri 10 gjeneralë rusë janë vrarë në luftën e përgjakshme.

Lufta ka shkaktuar vdekjen e mijëra civilëve, ka detyruar miliona ukrainas të largohen nga vendi dhe ka kthyer qytetet të tëra në gërmadha. Moska nuk ka shumë çfarë të tregojë për fitore me përjashtim të një rripi në jug dhe disa territore të vogla në lindje.

Presidenti Vladimir Putin u bëri thirrje rusëve të vazhdojnë betejën, gjatë një fjalimi triumfator me rastin e Ditës së Fitores ndaj nazizmit të hënën, por heshti lidhur me planet për një përshkallëzim të sulmit në Ukrainë. Perëndimi kishte parashikuar që ai mund ta përdorte fjalimin në Sheshin e Kuq, për të urdhëruar një mobilizim të përgjithshëm.

Gjatë së njëjtës seancë në Senat, Drejtoresha e Agjencisë së Zbulimit Kombëtar Avril Haines tha se një fitore e Rusisë në rajonin e Donbasit, që shtrihet në pjesën lindore të Ukrainës, mund të mos i japë fund luftës.

Ne vlerësojmë se presidenti Putin po përgatitet për një konflikt të gjatë në Ukrainë, gjatë së cilit ai mund të synojë të arrijë qëllime përtej Donbasit“, u tha zonja Haines senatorëve.

Zonja Haines shtoi se zoti Putin po pret që vendosmëria e perëndimit të dobësohet me kalimin e kohës. Ndërsa konflikti vazhdon, janë ngritur shqetësime mbi dinamikën e tij në muajt e ardhshëm.

Si rezultat i mospërputhjes së ambicieve që ka Putini me aftësitë ushtarake konvencionale të Rusisë në terren, në muajt e ardhshëm mund të shohim një trajektore më të paparashikueshme dhe potencialisht përshkallëzuese”, tha zonja Haines.

Armët taktike bërthamore

Shqetësimi perëndimor mbi rrezikun e një lufte bërthamore u rrit pasi zoti Putin nisi sulmin në Ukrainë, më 24 shkurt, me një fjalim gjatë të cilin ai foli mbi fuqinë bërthamore të Moskës dhe paralajmëroi se çdo përpjekje për t’iu kundërvënë Rusisë: “do t’ju çojë në pasoja të tilla që nuk i keni hasur kurrë në historinë tuaj”.

Autoritetet ruse thanë muajin e kaluar se po planifikojnë që deri në vjeshtë, të dislokojnë raketat e sapotestuara balistike ndërkontinentale “Sarmat”, të cilat janë të afta për të kryer sulme bërthamore kundër Shteteve të Bashkuara.

I pyetur mbi mundësinë e përdorimit të armëve bërthamore taktike nga zoti Putin, zoti Berrier tha: “Tani për tani, ne nuk e shohim (një gjë të tillë)”.

Zonja Haines tha më herët se komuniteti i zbulimit beson se zoti Putin do të autorizonte përdorimin e armëve bërthamore vetëm nëse ai mendonte se kërcënohej ekzistenca e shtetit rus.

Të martën Ukraina bëri të ditur se forcat e saj kishin rimarrë disa fshatra nën kontrollin e trupave ruse në veri dhe verilindje të Kharkivit, duke bërë përpara me një kundërofensivë që mund të sinjalizojë një ndryshim në rrjedhën e luftimeve, duke vënë në rrezik disa prej përparimeve kryesore të Rusisë.

Këshilltari i ministrit të Mbrojtjes të Ukrainës, Yuriy Saks, tha se forcat vendase po i shtynin forcat ruse jashtë rrezes së Kharkivit, qyteti i dytë më i madh i Ukrainës, i cili ka qenë nën bombardime të vazhdueshme që nga fillimi i luftës.

Kundërsulmi mund të sinjalizojë një fazë të re në luftë, ndërsa Ukraina tashmë është hedhur në ofensivë pas disa javësh në të cilat Rusia ndërmori një sulm në shkallë të gjerë, por pa bërë ndonjë përparim.

Duke zmbrapsur forcat ruse që kishin marrë kontrollin e zonave në periferi të Kharkivit, ukrainasit po godasin tashmë linjat e furnizimit që mbështesin forcën kryesore sulmuese ruse në jug të vendit.

Ata po përpiqen të frenojnë rusët duke ndërprerë linjat e furnizimit, sepse kjo ka qenë një nga dobësitë kryesore (të rusëve). Ukrainasit po i afrohen kufirit rus. Ndaj çdo përparim që rusët shënuan në ditët e para, në verilindje të Ukrainës, po e humbasin gjithnjë e më shumë“, thotë Neil Melvin i institutit të politikave mbi Rusinë, me bazë Londër.

Po sot forcat ruse goditën me raketa portin e Odesës, me sa duket për të ndërprerë rrugët e furnizmit të Ukrainës me armë.

Sipas zyrtarëve ukrainas sulmi ka ndodhur të hënën dhe raketat kanë goditur një qendër tregtare si dhe një magazinë. Një person humbi jetën dhe 5 janë plagosur.

Sipas zyrtarëve ukrainas, një pjesë e raketave kanë qënë të vjetra, të epokës sovjetike, ndërsa disa kanë qënë raketa moderne hipersonike.

Zyrtarë ukrainas, britanikë dhe amerikanë, thonë se Rusisë po i mbarojnë me shpejtësi armët me precision të lartë, duke shtuar rrezikun që të përdorë raketa të zakonshme, që mund të shkaktojnë më shumë dëme.

Që kur Presidenti Putin nuk arriti të merrte Kievin në ditët e para të luftimeve, ai e ka kthyer vëmendjen nga rajoni industrial i Donbasit në lindje dhe sipas disa ekspertëve, synimet e Moskës mund të përfshijnë edhe shkëputjen e plotë të Ukrainës nga brigjet e saj në Detin e Zi.

Kjo do t’i jepte Rusisë mundësinë të lidhej përmes tokës si me Gadishullin e Krimesë, që e aneksoi në vitin 2014, ashtu edhe me Transdnistrian, rajonin separatist të Moldavisë.

Edhe në se Rusia nuk do të arrinte ta shkëpuste Ukrainën nga Deti i Zi dhe duket, se ajo nuk i ka forcat e nevojshme për ta bërë këtë, vazhdimi i goditjes së Odesës me raketa, pasqyron rëndësinë e këtij qyteti si një pikë nevralgjike transporti.

Odesa, porti më i madh i Ukrainës, është gjithashtu pika kryesore nga eksportohet gruri dhe bllokada e Rusisë ka shkaktuar tashmë vështirësi në furnizimin global me drithëra.

voa

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>