Zbulimi i një kure kundër kancerit

infusioniKanceri ka qenë një hije e frikshme gjatë gjithë ekzistencës së njerëzimit. Në shumë vende të botës kanceri po shndërrohet në sëmundjen me ritmet më të larta të vdekshmërisë. Ndërsa zyrarët e shëndetit publik u bien këmbanave të alarmit për koston njerëzore e financiare në rritje të kësaj sëmundjeje, në laboratore kërkimore po punohet për kura të reja që premtojnë t’i gjejnë një zgjidhje sëmundjes.

Prej shekujsh diagnostikimi me kancer ishte ogur i një vdekjeje të parakohëshme për pacientin. Por prognoza ka ndryshuar. Sot pacientët jetojnë më gjatë se kurrë, dhe në shumë raste i kthehen një jete normale, pas kurimit të plotë nga kanceri.

Dr. William Nelson, drejtor i Qendrës Kërkimore për Kancerin pranë Universitetit Johns Hopkins, thotë se kurimi i kancerit nuk është më utopi:

“E ardhmja e trajtimit të kancerit është jashtëzakonisht e shkëlqyer. Mendoj se terapitë që kemi zhvilluar prej mbi 50 vjetësh kanë filluar të japin rezultat dhe shoh mundësi të pafundme në avancimet që mund të arrijmë në të ardhmen”.

 

Teknologjia moderne ka ofruar një njohje shumë më të thellë të kancerit nga pikëpamja biologjike dhe patologjike. Dr. Elizabeth Platz është epidemiologe në Qendrën Kërkimore Sidney Kimmel. Ajo thotë se studimet gjenetike kanë zbërthyer të fshehtat e sëmundjes dhe kanë hapur pista për të parandaluar kancerin si dhe për gjetjen e kurave për shërimin e tij:

“Tani jemi në një etapë të re. E kuptojmë gjenomin shumë më mirë. Vazhdimisht dalin zbulime të reja mbi elementë specifikë në përbërjen gjenetike që lidhen me rrezikun nga kanceri”.

 

Një armatë onkologësh, epidemiologësh, imunologësh e specialistësh të fushave të tjera analizojnë patologjinë e llojeve të ndryshme të kancerit, ku fshehen edhe misteret e kurave për të ardhmen:

“Kancerat, siç e kemi ditur prej kohësh, janë defekte që shfaqen në gjenet e pacientit. Gjenet janë elementët përbërës të qelizave dhe të gjithë indeve të trupit; kur gjenet kanë defekte, qelizat kanceroze shtohen; ato përhapen në pjesë të trupit ku nuk duhet të jenë në një masë të tillë që përbën kërcënim për jetën. Megjithëse e dinim këtë fakt prej kohësh, vetëm gjatë 10 vjetëve të fundit kemi arritur të përdorim teknologjinë  për të identifikuar të gjitha gjenet defektoze për një kancer të caktuar dhe ta përdorim këtë informacion për të përgatitur një regjim mjekësor për të kuruar atë pacient të caktuar”.

Kura kundër kancerit nuk do të jetë një ilaç i vetëm, por një kombinim terapish e praktikash për parandalimin, diagnostikimin e hershëm, trajtimin dhe përfundimisht kurimin e sëmundjes:

“I think that ultimately we will be able to cure all cancers in all people”.

Nuk është larg dita, thotë doktori, kur mjekësia do të arrijë të kurojë të gjitha llojet e kancerit tek të gjithë pacientët. (voa)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>