Udhëheqësi i kurdëve të Irakut shpalli fitoren e votës “po” në referendumin e pavarësisë të mbajtur me gjithë kundërshtimin e qeverisë qendrore në Bagdad, vendeve fqinje dhe Shteteve të Bashkuara.
Kurdët, të cilët e kanë qeverisur rajonin autonom që prej pushtimit amerikan të vitit 2003 dhe përmbysjes së Saddam Husseinit, e konsiderojnë votimin e së hënës si një hap historik drejt përpjekjeve për krijimin e një shteti të tyre.
Autoritetet irakiane e konsiderojnë antikushtetues referendumin, e mbajtur jo vetëm brenda rajonit kurd, por edhe në një territor të shumëkontestuar që kontrollohet po nga kurdët në një zonë në veri të vendit.
Përpjekjet e tyre për shkëputje nuk shqetësojnë vetëm Bagdadin. Turqia, armike e vjetër e idesë së një shteti të pavarur kurd në kufirin e saj, reagoi ashpër përmes presidentit Recep Tayyip Erdogan, që kërcënoi se njerëzit atje do të vuajnë nga uria nëse nuk heqin dorë nga mëvetësia, ndërsa hoqi edhe paralele me Kosovën.
“Kush e mbështeti referendumin, kush i njohu rezultatet? Vetëm Izraeli. Kosova u pranua nga 114 vende dhe sërish nuk arriti të bëhet shtet. Çfarë të mire do të sjellë njohja e Izraelit? Ju nuk keni as dijeni për politikën, as sesi bëhet shteti. Sapo ne të nisim sanksionet e të mbyllim valvulat e naftës, çdo gjë do të marrë fund. Sapo kamionët të reshtin së shkuari në veri të Irakut, atje nuk do të ketë më asgjë për të ngrënë”, tha Erdogan.
Mediet lokale pretendojnë se 90% e personave që hodhën votën e tyre u shprehën pro pavarësisë. Si Turqia, ashtu edhe Irani, e kanë ngritur vazhdimisht zërin kundër krijimit të shtetit kurd, nën pretekstin e arsyeve të sigurisë.
/ Top Channel