Si funksionon teleskopi hapësinor Hubble? Në fund të fundit, ai qëndron në hapësirë. Sigurisht që janë kompjuterat që e bëjnë të mundur një gjë të tillë, por teleskopi ka nevojë edhe për një grup specialistësh në Tokë për mbarëvajtjen e tij. Korrespondentja e Zërit të Amerikës JoEllen McBride vizitoi qendrën për fluturime në hapësirë “Goddard” në qytetin Grinbelt, të shtetit të Merilendit, për të na na njohur me aktivitetet e përditshme të teleskopit Hubble.
Teleskopi Hubble na ka magjepsur me pamje të hapësirës për mbi 26 vjet. Gjithë këto vite mund ta bëjnë një satelit të vjetër, por rreth 80 inxhinierë të NASË-s po punojnë për t’i zgjatur jetën.
“Pjesë e punës sonë këtu në qendrën Goddard është të parashikojmë problemet e mundshme dhe të gjejmë mënyra për t’u kujdesur për to, në mënyrë që të fillojmë më veprimet shkencore sa më shpejt të jetë e mundur” thotë Olivia Lupie, menaxhere aktivitetesh për Hubble-in.
Astronomët nga e gjithë bota bëjnë kërkesa për imazhet e Hubble-it dhe çdo javë, teleskopit i jepet një listë komandash për të plotësuar kërkesat.
“Pjesa e vështirë është gjetja e mënyrës më të efektshme për të dhënë komandat që të përfitojmë sa më shumë të jetë e mundur nga koha e teleskopit. Nuk duam që ai të rrijë pa bërë asgjë,” thotë Merle Reinhart një inxhinier i Institutit Space Telescope Science.
Të dhënat nga teleskopi kanë bërë të mundur që astronomët të arrijnë gjëra të tilla si: të llogarisin moshën e universit, të shikojnë kometat që zhyten në retë e Jupiterit dhe të marrin imazhet e para të disqeve që krijojnë planete, rreth yjeve të rinj.
Teleskopi Hubble ende punon aq mirë sa që NASA ia zgjati misionin për 5 vjet të tjerë. Kjo do të thotë se misioni i tij do të përputhet me atë të teleskopit James Webb, i cili është planifikuar të lëshohet në hapësirë në vitin 2018.
“Teleskopët Webb dhe Hubble do të plotësojnë njëri-tjetrin. Hubble është kryesisht një teleskop optik dhe me reze ultra-violet. James Webb është një teleskop me valë infra të kuqe. Ata të dy së bashku janë shumë të fuqishëm”,thotë menaxheri i projektit për teleskopin James Webb, Malcolm Niedner.
Teleskopi James Webb tani është në fazën e montimit dhe testimit këtu në Tokë, por astronomët mezi presin të shohin se ç’mund të arrijnë të dy teleskopët së bashku. (voa)