Zgjedhjet në SHBA

H ClintonTre kandidatët demokratë që kërkojnë të marrin emërimin e partisë për në garën presidenciale bënë thirrjet e fundit dje para votuesve në shtetin Ajova vetëm një javë para zgjedhjeve paraprake që shënojnë fillimin e procesit zgjedhor. Rezultatet e garës në Iowa dhe të asaj në shtetin New Hampshire, dy javë më vonë, do të jenë treguesit e parë të kandidatëve që kanë shansin më të mirë për të fituar zgjedhjet në nëntor. Në krahun republikan garën e kryeson Donald Trump, ndërsa në kampin demokrat Hillary Clinton përballet me një garë të forte ndaj rivalit Bernie Sanders.

Donald Trump ka patur një kryesim të qëndrueshëm në garën republikane, megjithë deklaratat e tij polemizuese dhe shpesh fyese, si dhe mendimin e shumë votuesve se ai nuk ka njohuri të mjaftueshme për marrëdhëniet ndërkombëtare. Statusi i tij në krye të garës e ka bërë atë mburret se është i pandalshëm.

“Mund të rri në mes të rrugës – të qëlloj dikë dhe nuk kam për të humbur asnjë votues,” thotë zoti Trump.

Një arsye për popullaritetin e tij është qëndrimi i rreptë ndaj imigracionit të paligjshëm.

“Me ekonominë në këtë gjendje, nuk mund t’u japim punë njerëzve që janë këtu dhe që nuk duan të kalojnë në procesin për t’u bërë qytetarë të ligjshëm,” thotë një votuese në Ajova.

Pavarësisht mburrjeve, zoti Trump e di se një fitore në Iowa është e rëndësishme.

Senatori i Teksasit Ted Cruz është pas Trumpit me më shumë se 10 për qind, por shpreson se mund ta ndryshojë rezultatin në Iowa.

“Nëse qëndrojmë të bashkuar do të kthejmë shpresën e njerëzve në Shtetet e Bashkuara”.

Në krahun demokrat, senatori i Vermontit Bernie Sanders duket se ka fituar mbështetje që po barazon atë të Hillary Clintonit në disa zona. Ai gëzon shumë mbështetje mes votuesve të rinj, që janë të lodhur nga politika tradicionale.

“Ata duan që vendi të lëvizë në një drejtim të ri; ata duan të jenë pjesë e një revolucioni politik,” thotë zoti Sanders.

Sanders ka kritikuar pabarazinë në rritje në Shtetet e Bashkuara dhe influencën e parave në politikë.

“Ai nuk financohet nga kompanitë e mëdha. Ai financohet nga donatorë privatë. Ndërsa Hillary Clinton është demokrate por ajo po financohet nga këto kompani dhe unë jam kundër saj,” shprehet një përkrahës i Senatorit Sanders në Ajova.

Ish kryetari i bashkisë së Nju Jorkut Michael Bloomberg mund të hyjë në garë nëse Sanders bëhet një kërcënim për zonjën Clinton. Miliarderi që është ndër njerëzit më të pasur në botë, thotë se do ta financojë vetë fushatën e tij dhe do të garojë si kandidat i pavarur.  (voa)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>