Një zjarr masiv në pjesën qendrore të Portugalisë mori jetën e dhjetra personave, shumë prej të cilëve kishin ngelur brenda në makinat e tyre ndërsa flakët përfshinin rrugën. Zjarri shpërtheu të shtunën në zonat malore të Pedrogao Grande, 150 kilometra në verilindje të Lisbonës.
Kryeministri portugez e quajti “tragjedinë më të madhe të jetës njerëzore që ne kemi njohur ndër vite”.
Dhjetra humbën jetën, dhe dhjetra të tjerë u lënduan, duke përfshirë katër zjarrfikës dhe një fëmijë, tha zyrtari i Ministrisë së Brendshme Jorge Gomes për kanalin mediatik të shtetit RTP. Autoritetet thanë se temperaturat që arritën 40 gradë celsius gjatë ditëve të fundit mund të kenë luajtur një rol në përhapjen e shpejtë të zjarrit rreth 150 kilometra në verilindje të Lisbonës. Rreth 700 zjarrfikës vazhdojnë përpjekjet për të mposhtur flakët, tha zoti Gomes.
Një rrufe besohet të ketë qenë shkaku i zjarrit në zonën e Pedrogao Grande, pasi hetuesit gjetën një pemë që ishte goditur gjatë një stuhie, tha kreu i policisë gjyqësore kombëtare për mediat portugeze.
Portugalia, ashtu si shumica e vendeve të Evropës jugore, është e rrezikuar nga zjarret pyjore gjatë muajve të thatë të verës.
Isabel Brandao, një banore e zonës, tha për agjencinë mediatike Associated Press se ajo kishte frikë për jetën e saj.
“Dje pamë zjarrin por menduam se ishte shumë larg. Nuk mendova se do të vinte në këtë anë. Në orën 3:30 të mëngjesit, vjehrra më zgjoi shpejt dhe nuk ishim në gjendje të flinim më, se kemi frikë se zjarri do të arrijë këtu” tha ajo.
Zyrtari i Ministrisës së Brendshme Gomes tha se ekipet e zjarrfikësve e kishin të vështirë t’i vinin flakët nën kontroll në të paktën dy nga katër frontet e tij.
Bashkimi Evropian tha se kishte aktivizuar ekipet e mbrojtjes civile duke iu përgjigjur një thirrjeje për ndihmë nga autoritetet portugeze. Komisioneri i BE-së për Ndihmën Humanitare dhe Menaxhimin e Krizave Christos Stylianides shprehu ngushëllime për viktimat në një deklaratë duke thënë se “BE-ja është plotësisht e gatshme të ndihmojë”.
Një avion zjarrfikës spanjoll po ndihmonte të dielën në mëngjes dhe një tjetër pritej të mbërrinte më vonë gjatë ditës. Franca gjithashtu po dërgon tre avionë.
Kryeministri portugez Antonio Costa shkruajti në Twitter se ndjente “keqardhjen më të thellë për viktimat …dhe një fjalë inkurajimi dhe force për të gjithë ata që po ndihmojnë në luftimin e kësaj tragjedie”.
Humbja e jetës për shkak të një zjarri pyjor është më e rënda në kujtesën e Portugalisë. Kanë kaluar 50 vjet që kur 25 ushtarë portugezë vdiqën duke u përpjekur të shuanin një zjarr pyjor në vitin 1966.
Gushtin e kaluar, një shpërthim zjarresh në të gjithë Portugalinë mori jetën e katër personave, duke përfshirë tre në ishullin e Madeirës, dhe shkatërroi zona të mëdha pyjore.
Shumë udhëheqës botërorë, duke përfshirë kryeministrin spanjoll Mariano Rajoy, presidentin francez Emmanuel Macron, Papa Françeskun dhe kryeministrin indian Narendra Modi, shprehën solidaritet me Portugalinë. (voa)